Rrahja e mbrëmshme në Prishtinë, arrestohen pesë persona, policia jep detaje

Një përleshje mes disa personave është raportuar mbrëmjen e kaluar në rrugën “Lekë Dukagjini” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e kryeqytetit, Enis Pllana, ka bërë të ditur, se rasti është paraqitur rreth orës 22:30, ndërsa njësitet policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendngjarje.

“Policia ka intervenuar menjëherë, ku pesë persona janë shoqëruar në stacion policor. Personat që kanë pësuar lëndime kanë marrë tretman mjekësor”, tha Pllana.

Ai shtoi se, pas konsultimit me prokurorin e rastit, dy nga të përfshirët janë ndaluar dhe do të qëndrojnë në mbajtje për 48 orë. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë duke vazhduar.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke e vendosur Kosovën më pranë standardeve të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Marrëveshja u nënshkrua nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. Sipas njoftimit zyrtar, ky hap shënon një moment të rëndësishëm në integrimin e BQK-së në rrjetin profesional të Eurosistemit dhe partnerëve ndërkombëtarë përmes Sistemit të Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS). “Përmes kësaj marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro”, thuhet në komunikatën e institucionit kosovar, ku theksohet se bashkëpunimi do të përfshijë edhe shkëmbimin e informacionit teknik dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore. Ky projekt është zhvilluar me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe institucioneve relevante të Kosovës në kuadër të TAIEX-it të BE-së, duke synuar krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve. BQK vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BQE-së, dhe riafirmoi përkushtimin për modernizimin e përpunimit të parasë, rritjen e vetëdijes publike dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të BE-së.