Marrëveshje SHBA-BE për sanksione të reja kundër Rusisë

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje mbi paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë, e cila pritet të miratohet në ditët në vijim.

Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, në një intervistë për televizionin francez TF1.

“Pas paketës së 18-të të sanksioneve, në ditët në vijim Bashkimi Evropian do të miratojë një paketë të re të madhe sanksionesh, të dakordësuar me Shtetet e Bashkuara për herë të parë që kur Presidenti i SHBA-ve Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë”, përfundoi ai.

Propozimi për sanksione të reja u prezantua më 19 shtator nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Në të përfshihen importet ruse të LNG-së (duke filluar nga janari 2027), sistemin bankar dhe kriptovalutat.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e mekanizmave kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke e vendosur Kosovën më pranë standardeve të Bashkimit Evropian në këtë fushë. Marrëveshja u nënshkrua nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, dhe presidentja e BQE-së, Christine Lagarde. Sipas njoftimit zyrtar, ky hap shënon një moment të rëndësishëm në integrimin e BQK-së në rrjetin profesional të Eurosistemit dhe partnerëve ndërkombëtarë përmes Sistemit të Monitorimit të Falsifikimeve të BQE-së (CMS). “Përmes kësaj marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro”, thuhet në komunikatën e institucionit kosovar, ku theksohet se bashkëpunimi do të përfshijë edhe shkëmbimin e informacionit teknik dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore. Ky projekt është zhvilluar me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe institucioneve relevante të Kosovës në kuadër të TAIEX-it të BE-së, duke synuar krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve. BQK vlerësoi rolin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BQE-së, dhe riafirmoi përkushtimin për modernizimin e përpunimit të parasë, rritjen e vetëdijes publike dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit të plotë në praktikat e përbashkëta të BE-së.