Shala: Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë kthyer në një kauzë të LVV-së e cila s’po i ka numrat për ta formuar qeverinë

Ankesa e Listës Serbe e pranuar nga Gjykata Kushtetuese, pasi krye parlamentari i ri, Dimal Basha, e shpalli të mbyllur seancën konstituive, pa zgjedhjen e nënkryetarit të 5-të nga radhët e komunitetit serb, në fund të muajit gusht, bëri që gjyqtarët e Kushtetueses të jenë cak i akuzave të LVV-së dhe qeverisë në detyrë.

Deklaratën e Kurtit se Kushtetuesja po punon si hije e opozitës dhe situatën e krijuar në Kuvend, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i sheh si përpjekje për përfitime politike, meqë, sipas tij, kushtetuesja tek zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit nuk ka lënë hapësirë për interpretime.

“Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë kthyer në një kauzë të LVV-së e cila s’po i ka numrat për ta formuar qeverinë. Sepse tek zgjedhja e nënkryetarëve kushtetuta nuk ka lënë hapësirë për interpretim…”, tha Shala

Përpos ngërçit politik në Kuvendin e Kosovës, sulmet ndaj Kushtetueses krijuan çarje edhe me të madhe në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së. Këto marrëdhënie pësuan goditje kur Uashingtoni zyrtar më 12 shtator njoftoi pezullimin e dialogur të planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë. Reagoi edhe ish-ambasadori, Jeff Hovenier, duke thënë se deklaratat denigruese dhe nxitëse të LVV-së ndaj Kushtetueses pika vluese që detyroi amerikanët të veprojnë.

Lidhur me këto zhvillime, hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, vlerëson kontributin e SHBA-ve në krijimin dhe forcimin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

“Deklaratat e tilla janë të rënda për sistemin gjyqësor veçanërisht kur përmenden emrat e gjyqtarëve të kushtetuese, supremes, PZAP-s dhe e rëndojnë sistemin e drejtësisë dhe nuk e lejojnë pavarësinë e tyre”, deklaroi Jakaj për rtv21

Ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti deklaroi se qeveria e tij në detyrë ka disa dallime në qëndrime me SHBA-të, por këmbëngul se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë prishur, teksa ish-ambasadori i SHBA-ve, Jeff Hovenier, në një intervistë, ka hedhur poshtë pretendimet e Kurtit se ka marrëdhënie të mira me SHBA-të.