BPV-ja reale e ngujuar në 4% – Murati në ‘ekstazë me shifra’ që dikur tejkaloheshin lehtësisht

Shtatë nga njëmbëdhjetë vitet e fundit para pandemisë Covid-19 e tejkaluan lehtësisht dhe pa retorikë nga qeveritarët e asaj kohe rritjen që deputeti i VV-së, Hekuran Murati – ish-ministër i Financave në Qeverinë Kurti 2 – e trumepeton si ‘të arritur’, krahasuar vetëm me performancën e vet një vit më parë. Në realitet, që nga viti 2022, BPV-ja reale ka stagnuar në nivelin e maksimum 4.5 përqindshit.

Duke cituar raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Murati tha së Bruto Produkti Vendor u rrit me 4.58% në tremujorin e dytë të 2025-ës — shifër që, krahasuar me TM2 2024 (4.32%), “tregon përshpejtim të rritjes”.

Performancën pozitive të kësaj periudhe, krahasuar me punën e vet një vit më parë, Murati e përdori si argument për të “demantuar” kritikat opozitare të muajve të fundit, në dritën e rikthimit të inflacionit.

“ASK dje ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024 e cila ishte 4.32%, len të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes. Edhe kësaj radhe, faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahjen ekonomike të vendit,” shkroi ndër të tjera Murati.

Lexuar me kujdes, komunikimet e Muratit rezultojnë të kenë secilën herë nga një ‘kavjat’: nën numrat e tij, siç ndodh zakonisht, fshihen selektime të qëllimshme të periudhave krahasuese dhe raporteve të ASK-së, e në raste edhe shtrembërime të lehtësisht dallueshme të indikatorëve.

Çka s’tregojnë shifrat e Muratit?

Edhe pse BPV-ja reale shënoi një ecuri pozitive në tremujorin e dytë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, projeksionet për pjesën e mbetur të vitit duken më pak optimist për shkak të rritjes ekspoenciale të inflacionit: Janar 1.5% → Shkurt 1.7% → Mars 2.9% → Prill 3.0% → Maj 3.6% → Qershor 4.3% → Korrik 4.3% → Gusht 4.5%.

Me këtë trajektore, pritjet janë për një ngadalësim të rritjes reale të BPV-së në TM3 dhe, nëse presioni vijon, edhe në TM4. Kjo mbështetet edhe nga raporti i Bankës Botërore “Perspektivat Ekonomike Globale”, i cili uli projeksionet e rritjes ekonomike për Kosovën për vitet 2025 dhe 2026.

Sipas Bankës Botërore, rritja ekonomike për vitin 2024 parashikohet të arrijë në 4.4 për qind. Ndërsa për vitet 2025, 2026 dhe 2027, rritja vlerësohet të jetë 3.8 për qind për secilin vit. Krahasuar me parashikimet e muajit janar, rritja për vitin 2025 është ulur me 0.1 pikë përqindje, ndërsa për vitin 2026 është ulur me 0.2 pikë përqindjeje.

ASK publikoi gjithashtu një raport që mundëson krahasimin e performancës katërvjeçare të qeverisë Kurti 2 me qeveritë paraardhëse, një dokument që Murati e anashkaloi, me gjasë për arsye të qarta. E gjithë periudha 2022-2024 ka mbetur nën 4.57%. Ndërkohë, shtatë vite të dekadës së mëhershme e tejkaluan këtë kufi pa vështirësi.

Ish-shefi i Muratit, deputeti Albin Kurti, tentoi ta maskonte realitetin duke i shtrembëruar shifrat: ai përpiqej të barazonte vitet para pandemisë me një “mesatare prej 6.3 për qind”, të cilën e derivonte nga përjestimi i viteve 2021-2023. Në këtë kalkulim të qëllimshëm, Kurti manipulonte me faktin se BPV-ja kishte shpërthyer në 16.32 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, në momentin kur ai mori pushtetin, i ndikuar nga rihapja pas pandemisë.

Sipas të dhënave Vjetari Statistikor nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, periudha para pandemisë karakterizohej nga një rritje ekonomike relativisht e qëndrueshme, madje, në shumicën e këtyre viteve, rritja ishte më e lartë në disa vite sesa vitet 2023 dhe 2023.