Njoftimi i fundit i Pentagonit ndez alarmin mes aleatëve, ndërsa Rusia intensifikon provokimet në kufijtë e NATO-s.
Në fund të muajit gusht, zyrtarë të Pentagonit zhvilluan një takim me dyer të mbyllura me një grup diplomatësh evropianë, ku dhanë një mesazh të prerë: Shtetet e Bashkuara do të pezullojnë pjesërisht ndihmën ushtarake për tre vende baltike – Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë.
Zyrtari i Pentagonit, David Baker, i komunikoi grupit se kjo ishte pjesë e një qasjeje më të gjerë të administratës së Presidentit Donald Trump, që synon të zhvendosë fokusin e mbrojtjes amerikane drejt çështjeve të brendshme, raporton Reuters.
Kjo lëvizje ka shkaktuar shqetësim të thellë në kryeqytetet evropiane, ku diplomatët e shohin si një sinjal që mund të inkurajojë agresivitetin e Kremlin-it.
Vetëm pak ditë më vonë, shqetësimet evropiane duket se u konfirmuan. Të premten, avionë luftarakë MiG-31 të Rusisë u futën në hapësirën ajrore të Estonisë për rreth 10 minuta, përpara se të largoheshin nga ndërhyrja e avionëve italianë F-35, tha qeveria estoneze.
Moska e mohoi shkeljen, duke pretenduar se fluturimi ndodhi mbi ujëra neutrale.
Po atë ditë, Varshava njoftoi se avionë rusë kaluan mbi një platformë nafte në detin polak, ndërsa një javë më parë, dronë rusë ishin rrëzuar në territorin polak.
Përballë këtyre provokimeve, reagimi i Washington-it ka qenë i zbehtë. Presidenti Trump reagoi vetëm pas disa orësh, duke paralajmëruar se incidenti “mund të jetë problem i madh”.
Pas episodit të mëparshëm në Poloni, ai shkroi në platformën e tij Truth Social: “Ja ku nisemi!”
Pas muajsh të mbushur me nisma diplomatike – përfshirë përpjekje për paqe në Ukrainë dhe Gaza – Trump duket se ka tërhequr vëmendjen nga skena ndërkombëtare.
Në vend të saj, ai po fokusohet te politika e brendshme: lufta kundër krimit, ndalimi i ekstremizmit të majtë dhe reformimi i programeve të vizave.
Kjo kthesë nuk është e papritur. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj angazhimeve ushtarake të SHBA-ve jashtë vendit, duke i quajtur ato të kushtueshme dhe jo efektive.