VV u gjobit me 2,500 euro pasi kandidati Faton Peci përdori Muzeun e Qytetit të Mitrovicës për fushatë zgjedhore.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 2,500 euro, pas ankesës së Partisë Demokratike të Kosovës, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas vendimit, më 16 shtator kandidati i VV-së për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, kishte realizuar fotografi në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit, duke shfrytëzuar institucionet publike për qëllime elektorale, veprim që bie ndesh me dispozitat ligjore zgjedhore.
“Paneli ka gjetur se postimi i fotove është ende aktiv në llogarinë në Facebook të kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e VV-së, Faton Peci, dhe ka vërtetuar se fushata është bërë në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit”, thuhet në vendimin e PZAP.
Nga provat e paraqitura nga PDK dhe dokumentet e shqyrtuara, PZAP ka konstatuar se kandidati i VV-së ka shkelur Rregulloren Zgjedhore për Fushatën dhe Monitorimin e saj, duke e përdorur muzeun për promovimin e numrit me të cilin kandidon.
VV tani obligohet që gjobën e shqiptuar ta paguaj brenda 15 ditëve.