Në rigjykim, mbrohen në heshtje të akuzuarit për vrasje të rëndë në tentativë

Janë mbrojtur në heshtje Sabri dhe Ilir Hamiti, të akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Sabri Hamiti tha se, përveç deklaratave të dhëna më parë, nuk ka çfarë të shtojë dhe se do të mbrohet në heshtje.

Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari Ilir Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare, ku prokurori i rastit, Armend Hamiti, e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare duke shtuar se qëndron pranë saj, ashtu siç ishte dhënë edhe në gjykimin e mëhershëm. Ai theksoi se edhe gjatë rikonstruimit nuk ka dalë ndonjë fakt që do të ndryshonte qëndrimin e prokurorisë lidhur me aktakuzën.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sabri Hamiti, avokati Fitim Limani, e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare dhe shtoi se, pas këtij shqyrtimi gjyqësor, gjykata duhet ta shpallë të mbrojturin e tij të pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet. Ai argumentoi se, për vrasje në tentativë, duhet të plotësohen dy kushte: dashja si element subjektiv dhe mundësia, të cilat sipas tij nuk janë plotësuar. Për këtë arsye, avokati Limani kërkoi që ndaj klientit të tij të merret aktgjykim lirues.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Hamiti, avokati Mentor Neziri, e dorëzoi po ashtu me shkrim fjalën përfundimtare dhe ndër të tjerash tha se, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet, pasi që nuk ka prova materiale e as personale që vërtetojnë se ai ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme e Kosovës, pasi më 17.10.2012 kishte marrë aktgjykim me të cilin kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Sabri Hamiti dhe Ilir Hamiti, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të datës 26.09.2011.

Me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të datës 26.09.2011, i akuzuari Sabri Hamiti për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje ishte dënuar me 2 vite burgim, ndërsa për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve ishte dënuar me 600 euro gjobë.

Ndërsa i akuzuari Ilir Hamiti, për veprën penale Vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje, ishte dënuar me 1 vit burgim, ndërsa për veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve ishte dënuar me 800 euro gjobë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut, të Republikës së Kosovës të datës 22.10.2008, Sabri Hamiti dhe Ilir Hamiti më datë 20.10.2007, rreth orës 16:38 minuta në fshatin Sveqël, Komuna e Podujevës, në lagjen e “Softollëve”, të akuzuarit Sabit e Iilir Hamiti me dashje që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin Bajram Cshobacher kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, në atë mënyrë që pas një konflikti të shkaktuar me datën 13.10.2007 në të njëjtin fshat në mes të vëllezërve Driton e Bujar Hamiti në njërën anë dhe Kasim Sinanit në anën tjetër, me ç’rast i dëmtuari ka ndërmjetësuar në ndarje. Në ditën kritike i dëmtuari duke u kthyer në fshatin e tij Sveqël, automjeti Charon VE nga mbrapa e ka përjellur ndërsa nga ana e kundërt ka ardhur i akuzuari Ilir me automjetin e markës Mercedes dhe e ka bllokuar rrugën, me ç’rasti nga automjeti nga mbrapa ka daluar i akuzuari Sabri dhe me armë zjarri ka thyer xhamin e përparmë të majtë të automjetit, duke shtënë me armë në brendi të automjetit, duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit duke e goditur në gjurin e djathtë, ndërsa i pandehuri Ilir ka shtënë me armë zjarri AK 47 dhe kishte goditur automjetin në zonën e pasme të zonës mbi tabelë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo predhë ka përfshirë faqen e pasme dhe të përparme të mbështetëses së pasme dhe ka vazhduar në faqen e pasme të mbështetëses së vozitësit, duke ikur i dëmtuari me automjet në lëvizje e sipër te udhërkryqi i rrugës Dumosh – Sveqël dhe Sekiraqë përmes xhamit të thyer anësor të majtë është qëlluar më armë zjarri me tytë të shkurtër të kalibrit 7.62×25 mm, timoni i automjetit dhe gishti tregues i dorës së majtë i të dëmtuarit, më pas predha vazhdon brenda në veturë nën zonën e kasetofonit në anën e poshtme të maskës së përparme dhe në fund është gjetur para ulëses në anën e djathtë të bashkëvozitësit.

Me këtë të akuzuarit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 147 par.1 nënpar. 9 e lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, deri me datën 20.10.2007, Sabri Hamiti ka poseduar pa autorizim të organit kompetent revolen e markës “TT”, model 33.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328 par.2 të KPRK-së e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ilir Hamiti deri me datën 20.10.2007 ka poseduar pa autorizim të organit kompetent pushkën automatike AK 47.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve” nga neni 328 par.2 të KPRK-së e në bashkim real me veprën penale nën pikën 1 të dispozitivit.