Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, duke e quajtur atë përfaqësuesin më të mirë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai kujtoi se qëndrimi i PDK-së për të votuar cilindo kandidat që nuk ka qenë në qeveri kishte për qëllim t’i jepte rrugëdalje situatës së krijuar në Kuvend.
“…Votojmë kënd do që nuk ka qenë në qeveri për arsye se i mbajmë përgjegjës për degradimin e skajshëm që i ka ndodhur vendit në çdo fushë, por e vërteta është që s’kemi pritë që të degradojnë bash deri në atë nivel sa të propozojnë Dimal Bashën”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, përzgjedhja e Bashës është tregues i mënyrës se si Vetëvendosje e sheh veten.
“Megjithatë, kanë vendosur që ai është më i miri dhe i përfaqëson, dhe unë besoj përnjëmend që i përfaqëson ashtu siç janë, dhe sot e kemi kryetar Kuvendi”, ka shtuar ai.
Tutje, Krasniqi në emisionin Debat Plus ka theksuar se bllokada politike aktuale është përgjegjësi dhe pasojë direkte e kryeministrit Albin Kurti.