2 mijë euro gjobë për ngacmimin e gazetares, 60 organizata kundër marrëveshjes së Prokurorisë së Prishtinës me të akuzuarit

60 organizata të shoqërisë civile dhe organizata përfaqësuese të mbi 150 mediave në Kosovë, kanë reaguar sot, më 19.09.2025, pas njoftimeve se Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar një dënim skajshmërisht të ulët për ngacmimet ndaj gazetares së KALLXO.com, të kryera nga publikues dhe ndjekës të grupit famëkeq “AlbKings”.

Më 18.09.2025, Prokuroria e Prishtinës ka paraqitur në gjykatë marrëveshjen me të pandehurit, të cilët planifikohet të dënohen vetëm 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro gjobë për shqetësimin e vazhdueshëm të gazetares. Tre të pandehurit ishin arrestuar nga Policia në operacione speciale.

Në reagimin e tyre, aktivistët e shoqërisë civile i kanë kërkuar Gjykatës së Prishtinës të hedhë poshtë këtë marrëveshje, duke kërkuar ndëshkim meritor për kryerësit e kësaj vepre.

Reagimi i plotë:

E nderuar Kryetare znj. Albina Shabani Rama,

I nderuar gjyqtar Fisnik Gashi,

Ne, organizatat e poshtëshënuara, me shumë shqetësim kemi pranuar njoftimin nga gazetarja e Kallxo.com, viktimë e grupit famëkeq “AlbKings” në rrjetin “Telegram” për planet lidhur me dënimet skajshëm të ulëta ndaj tre ngacmuesve të grave gazetare.

Nga ky njoftim kemi kuptuar se një grup prej tre ngacmuesish të gazetares dhe shumë vajzave të tjera, potencialisht viktima të grupeve pornografike në rrjetin “Telegram”, siç ishte grupi “AlbKings”, parashihet të dënohen vetëm me nga 2,500 euro gjobë, bazuar në një marrëveshje të paprecedentë të lidhur ndërmjet ngacmuesve dhe Prokurorisë së Prishtinës, e përfaqësuar nga prokurorja Elza Bajrami.

Marrëveshja është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Zejnullah Gashi.

Për këtë marrëveshje viktima as nuk është informuar e as nuk është pyetur për anën e saj.

Është shumë e qartë se për këtë vepër ligji parashikon dënim deri në 3 vite burgim, mirëpo Prokuroria ka pranuar një dënim skajshëm minimal, i cili nuk përmbush asnjë standard ligjor dhe etik për situatën.

Në këtë rast, Prokuroria ka trajtuar ngacmimin ndaj një gazetareje si një çështje të zakonshme dhe pa pasoja për të mirën publike.

Dënime të tilla ndaj ngacmuesve të grave gazetare dhe ndjekësve të platformave pornografike, të cilat tashmë kanë shkaktuar qindra viktima tek vajzat dhe gratë e Kosovës, edhe një herë dëshmojnë mendësinë patriarkale të sistemit dhe vullnetin e prokurorëve për të mbyllur sytë para dhunës ndaj grave.

Me shumë shqetësim jemi njoftuar se Gjykata e Prishtinës ka vendosur që më 18.09.2025 të pranojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë me kushtet e dënimit me gjobë për një grup që ngacmon gratë gazetare.

Për më tepër, është tejet shqetësuese që vendimi i Gjykatës vjen në një situatë kur gazetarja dhe mbrojtja e saj kanë kërkuar që rasti të trajtohet në një gjykim të hapur, ku do të paraqiteshin prova që do të dëshmonin se kryesit kishin qëllime të organizuara për frikësimin e grave që janë pjesë e jetës publike.

Për ne si aktivistë është e papranueshme një qasje e tillë, ku në procese ku viktima janë gratë – e në këtë rast gratë gazetare – propozimet e tyre për procese të drejta gjyqësore hidhen poshtë përmes marrëveshjeve të tilla.

Duke ditur procedurat ligjore, ne, organizatat e poshtëshënuara, i bëjmë thirrje gjykatësit të rastit, Fisnik Gashi, që të mos lejojë që para syve të tij të kalojë një ujdi e tillë, e cila i amniston ngacmuesit dhe i riviktimizon vajzat dhe gratë gazetare.

Dënimi me vetëm 2 mijë e 500 euro për ngacmuesit e gazetareve, të cilët përdorin mënyrën më perfide të sulmit kibernetik online, është i papranueshëm dhe nuk i shërben mbrojtjes së grave gazetare dhe aktiviste, të cilat çdo ditë e më shumë janë pre e ngacmimeve të tilla.

Duke qenë të vetëdijshëm se ky proces tashmë ka marrë një rrugë të vështirë ligjore, kemi shpresën e fundit që gjykatësi i çështjes, në orët e fundit, të rivlerësojë lartësinë e dënimit duke shqiptuar një dënim meritor për situata të tilla.

Mbetemi me shpresë që në shpalljen e aktgjykimit, e cila është paraparë për ditën e hënë, më 22.09.2025, ngacmimet e orkestruara ndaj grave gazetare dhe aktiviste të marrin një dënim të merituar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Me respekt,

Organizatat e poshtëshënuara:

  1. Asociacioni i Gazetareve te Kosoves, AGK
  2. Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, AMPEK (asociacion i 93 mediave elektronike)
  3. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, KMShK (mekanizëm vetërregullues i mediave online me 49 anëtarë)
  4. Rrjeti i Grave të Kosovës (rrjet i 102 OJQ-ve anëtare)
  1. Activism Roots
  2. Advocacy Center for Democratic Culture – ACDC
  3. Advocacy Training and Resource Center, ATRC
  4. ANIBAR
  5. Art and Community Center – ARTPOLIS
  6. Balkan Green Foundation, BGF
  7. Rrrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN
  8. CEL Kosova
  9. Civil Rights Program Kosovo – CRP/K
  10. Community Building Mitrovica, CBM
  11. Community Development Fund, CDF
  12. Dajana Berisha, Forumi për Iniciativa Qytetare, FIQ
  13. Democracy for Development, D4D
  14. Demokraci Plus, D+
  15. Durmish Asllano
  16. Ec ma ndryshe
  17. Fondacioni Kosovar i Shoqërisë Civile, KCSF
  18. Fondi për të Drejtën Humanitare, HLC
  19. Fourth ëave
  20. GERMIN
  21. HANDIKOS Istog
  22. HANDIKOS, Drenas
  23. Instituti Demokratik i Kosovës, KDI
  24. Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale
  25. Instituti QIKA
  26. Instituti Riinvest
  27. Interneës Kosova
  28. KMDLNj
  29. Kolektivi Hyjneshat
  30. Kosovo Advocacy and Development Centre – KADC
  31. Kosovo ëomen for ëomen
  32. Lëvizja FOL
  33. NGO AKTIV
  34. OJQ AVOKO
  35. OJQ COHU
  36. OJQ Dylberizm
  37. OJQ Gjethi
  38. OJQ ISDY
  39. OJQ Mundesia
  40. OJQ Pishtaret
  41. OJQ Romtegra
  42. OJQ YES
  43. OJQ ZANA
  44. Open Data Kosovo
  45. Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA
  46. Qendra Kosovare për Studime Gjinore, QKSGj
  47. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, QKSS
  48. Qendra per Zhillimin e Grupeve Shoqerore – CSGD
  49. Romano Avazo
  50. Rrjeti Avonet
  51. Rrjeti i Grave Gazetare te Kosoves
  52. Rrjeti Qeliza
  53. Sekhmet Institue
  54. SH-L Kosova
  55. Syri i Vizionit
  56. Women in Tech Kosova