Kristjan Asllani beson se bëri zgjedhjen e duhur me kalimin te Torino, ndërsa iu tregoi italianëve se është shqiptar prandaj edhe po përfaqëson Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar.
Asllani padyshim është transferimi më interesant i Torinos në afatin e fundit kalimtar, ku befasoi të gjithë kur u largua nga Interi.
I pyetur se pse zgjodhi Torinon, mesfushori shqiptar deklaroi se i beson plotësisht projektit prandaj edhe ishte zgjedhje e duhur.
“Sinqerisht doja të vija te Torino sepse besoja në këtë projekt. Më donin vërtetë, prandaj ishte zgjedhje e lehtë. Sigurisht ditët e fundit ishin stresuese sepse isha te Interi dhe kisha shumë oferta”.
“Fillimisht, isha i frikësuar për t’u larguar menjëherë sepse doja një projekt që do të më ndihmonte. Kisha shumë oferta, por jam i lumtur që më donin”.
Asllani foli edhe për lidhjet e ngushta që ka me Shqipërinë, pavarësisht që është rritur në Itali.
“U linda në Shqipëri dhe erdha këtu në Itali kur kisha dy vjeç. Babai erdhi i pari, pastaj nëna dhe më vonë unë. Shqipëria është shumë e rëndësishme për mua sepse edhe luaj për kombëtaren dhe tifozët aty janë të mrekullueshëm. Gjyshërit janë ende atje, prandaj kur kam kohë shkoj t’i vizitoj. Kujdesëm shumë për familjen prandaj edhe Shqipëria është shumë e rëndësishme për mua”.
“Shqipëri kundër Italisë? Zgjodha ta përfaqësoj Shqipërinë sepse jam shqiptar, por të themi se ndeshja me Italinë për mua ishte e shkëlqyer. Mezi prisja të dilja në fushë. Luajta ndaj bashkëlojtarëve që kisha te Interi, luaja ndaj shumë djemve që i njohja. Ishte ndjenjë fantastike”.
The post Asllani tregon zgjedhjen Torino: “Fillimisht isha i frikësuar sepse…” appeared first on Telesport.