Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë një vendim për pezullim për dialogun strategjik me Kosovën.
Për këtë, profesori universitar, Afrim Hoti ka deklaruar se diskursi politik i Qeverisë së Kosovës duhet të ndryshohet, pasi sipas tij, duhet të jetë në linjë me atë të ShBA-së.
Sipas profesorit, ky vendim dhe veprim i ShBA-së nuk ka qenë krejtësisht i papritur, pasi siç tha ai ShBA i ka dhënë kritika të shumta Kosovës, të cilat sipas tij Qeveria e Kosovës ka heshtur.
Ky i fundit ka kritikuar presidenten dhe kryeministrin për komentimet që i kanë bërë Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse një shtet devijon në mënyrë të drejtë ose jo të drejtpërdrejt atëherë normalisht që pasojnë edhe vendimet e tilla, të cilat në fakt dëmin e parë e Republikës së Kosovës i bëjnë me vet faktin e krijimit të një imazhi të përgjithshëm politik, ndërkombëtar që Kosova nuk po qëndron në linjë me vendet demokratike, po rrëshqet dashur apo pa dashur me vendet të cilat shkojnë nga format e caktuara të diktaturës. Diskursi politik i Qeverisë së Kosovës duhet të ndryshohet dhe i njëjti duhet të jetë në linjë me atë të ShBA-së. Ky vendim dhe ky veprim i ShBA-së nuk ishte krejtësisht i papritur, po flas këtu për një varg kritikash të dhënë kohë pas kohe madje edhe shumë konkrete për të cilat Qeveria e Kosovës ose ka heshtur ose nuk ka dhënë përgjigje. Është për keqardhje për Osmanin e Kurtin sa herë që vijnë në shprehje komentimi ose diskutimi për vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Hoti në emisionin “Ditari” në Tëvë1./teve1.info/