Katër zyrtarët policorë, pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, të cilët ishin suspenduar para disa ditëve shkaku i disa fjalëve e bisedave që kishin shkëmbyer për zgjedhjen e Dimal Bashës në Krye të Kuvendit të Kosovës, tashmë janë kther në vendin e tyre të punës.
Policët, Sami Hoti, Sedat Ramadani, Albert Kuqi dhe Artan Krasniqi janë kthyer në vendin e punës, pasi është vërtetuar se veprimet e tyre nuk përbëjnë shkelje ligjore. Avokatja e njërit nga policët, Arbenita Aliu, e konfirmoi se ata janë liruar nga procedura, dhe janë kthyer në vendin e tyre të punës.
Cila ishte biseda ndërmjet tyre?
Nacionale mëson se policët në një grup privat në “Viber” bënë shaka me njëri-tjetrin. Pasi u zgodh Basha kryekuvendar, njëri nga policët kishte nisur lajmin në grup, duke shkruar, “era sovranitet”, një tjetër polic, ia kthen, “era m..”, ndërkohë një tjeër e dërgon një “emoj”, polici i katërt në mirëbesim tallet me shokët e tij duke u thënë “Urime besimatarëve të VV-së”.
Krejt kjo bisedë mes shokësh, u shndërrua në procedurë disiplinore, duke i pezulluar nga puna policët e përfshirë.
Ndërkohë, Inspektorati Policor i Kosovës në një përgjigje për Nacionale ka bërë të ditur se nuk kanë rekomanduar suspendimin e ndonjë zyrtari policor në këtë rast.
Ndryshe suspendimi i policëve elitar të Kosovës, veç pse bënë shaka me Dimal Bashën, në grup privat, ngjalli reagim të madh në vend./Nacionale