Aeroplanët luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Estonisë, tha Ministria e Jashtme në Talin, duke e quajtur ndërhyrjen si “të pacipë”.
Ajo tha se tre avionë luftarakë rusë MiG-31 “hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pa leje dhe qëndruan atje për gjithsej 12 minuta” të premten mbi Gjirin e Finlandës.
Ministria thotë se thirri të ngarkuarin me punë rus “për të paraqitur një protestë”.
Media estoneze po raporton se avionëve rusë u ishin fikur transponderët në hapësirën ajrore të një anëtari të NATO-s.
Ushtria ruse nuk ka komentuar publikisht për këtë çështje.
Në një deklaratë, Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, tha se inkursioni i së premtes ishte “i turpshëm në mënyrë të paparë”.
Ai vazhdoi: “Testimi gjithnjë e më i gjerë i kufijve nga Rusia dhe agresiviteti në rritje duhet të përballen me një rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik.”
Ministri shtoi se Rusia kishte shkelur tashmë hapësirën ajrore të Estonisë katër herë në vitin 2025, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.