Vetëm pak ditë pasi drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, publikoi disa komunikime të brendshme në RTK, në lidhje me procesin për rikthimin e emisioneve të BIRN Kosova në kanalin e parë të televizionit publik, kryesuesja e komisionit për përzgjedhjen e veprave audio-vizuele dha dorëheqje nga ky angazhim nën pretendimet për “presione të brendshme dhe të jashtme” në procesin tashmë të komprometuar.
Katër ditë pasi Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, nxori në publik disa komunikime të brendshme të Komisionit për Vepra Audio-vizuale në RTK, dhe ngriti dyshime se procesi për rikthimin e produkteve të BIRN Kosova në transmetuesin publik po kurdisej në favor të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, Kryetarja e këtij Komisioni, Leonora Bërbatovci, dha dorëheqje nga funksioni i saj.
Njoftimin “me efekt të menjëhershëm” e dha më 15 gusht 2025, përmes një letre të dërguar tek Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Gjeneral të RTK’së, Hysen Hundozi.
Në letrën e dorëheqjes që Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar nga RTK-ja përmes qasjes në dokumente publike, gazetarja Bërbatovci si arsye për këtë vendim i paraqet “presionet e brendshme dhe të jashtme”.
Aty përmend edhe çështjen e publikimit të komunikimeve të brendshme të Komisionit, që u bë nga Arsim Halili më 11 gusht 2025.
“Ky vendim nuk lidhet me çështje personale, por pasqyron presionet e brendshme dhe të jashtme që ndikojnë në ambientin institucional dhe pengojnë funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të Komisionit, element kyç për besueshmërinë e institucionit”.
“Këto ditë janë shfaqur shqetësime të theksuara lidhur me interpretimin e pasaktë dhe jashtë kontekstit të komunikimeve të Komisionit, publikimin e materialeve që mund të krijojnë përshtypjen e favorizimit, përhapjen e pretendimeve të pavërteta në media lidhur me punën e Komisionit”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Berbatovcit.
Bërbatovci, e cila është edhe redaktore në RTK, është ankuar edhe për mungesë të mbështetjes institucionale, për siç ka thënë, reagime të koordinuara dhe të qarta.
“Në këtë drejtim ka pasur mungesë të mbështetjes institucionale për reagime të koordinuara dhe të qarta në drejtim të korrigjimit të këtyre informacioneve. Po ashtu presionet dhe ndikimet e jashtme kanë krijuar një ambient të paqëndrueshëm duke pamundësuar shqyrtimin objektiv”, vazhdon ajo në letrën e saj.
“Andaj kjo klimë më bën të pamundur të vazhdoj të kontribuoj me besim dhe efikasitet në këtë proces”.
Për Bërbatovcin, është gjetur zëvendësimi pak ditë më pas.
Hundozi, më anë të një vendimi të ri, më 19 gusht 2025, në vend të ish-ushtrues së detyrës së Kryeredaktores në RTK, në cilësinë e anëtarit dhe kryetarit të komisionit për përzgjedhjen e veprave Audio-vizuale e ka emëruar Muharrem Saragjollin, redaktor në Radio Kosova.
Me të njëjtin vend, u.d. i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së i dha mandat një vjeçar Komisionit në fjalë.
Përveç Saragjollit, në këtë komision si anëtarë janë edhe Zana Spahiu, udhëheqëse e Zyrës Ligjorë në RTK; Arsim Haliti, mbikëqyrës i programeve të veçanta; Rialda Pukaj, analiste në tregun e marketingut, dhe Dardan Ramabaja, gazetar.
Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar më 22 gusht 2025 rreth dyshimeve të ngritura rreth këtij procesi, saktësisht rikthimin e produkteve të BIRN Kosova në transmetuesin publik.
Publikimi i komunikimeve të brendshme filloi kur kur e-mail adresa zyrtare e drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili, një ditë pas mbledhjes së komisionit, më 6 gusht 2025, u përfshi në disa komunikime elektronike të anëtarëve të komisionit për
Përfshirja e e-mailit të Halilit besohet se ndodhi gabimisht, në vend të adresës elektronike të anëtarit të komisionit Arsim Haliti. Të dy emrin e njëjtë, e mbiemrat shumë të përafërt.
Pak ditë më vonë, drejtori i Radios, komunikimet i nxori në publik, përmes llogarisë së tij në Facebook.
Arsim Halili, pretendoi se procesi po kurdiset në favor të BIRN-it, dhe sipas tij komunikimet e brendshme që i shkuan gabimisht në emal, tregojnë për favorizimin e kësaj organizate nga komisioni dhe drejtuesit aktual të televizionit, përmes instruksioneve rreth formës së aplikimit.
“D.m.th është tentuar të kontrabandohej pa u diskutuar në forumin më të lartë vendimmarrës. Sipas nenit 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes KONKURSIT PUUBLIK”, shkroi Halili më 11 gusht 2019.
“Teksti që duhet ti dërgohet me e-mail produksionit BIRN. Nëse komisioni është në rregull, atëherë mundet me u dergu”, thuhet në një nga komunikimet e komisionit të cilat i publikoi dhe nënvizoi drejtori Halili.
Mesazhet tregojnë se komisioni i RTK-së për Vepra Audio-Vizuale po kërkonte nga BIRN Kosova që ta rikonstukturonte propozimin e saj “duke përfshirë vetëm periudhën deri më 31 dhjetor 2025, dhe vetëm për pjesën që parasheh kompensimin përmes hapësirës publicitare”.
Kreshnik Gashi nga BIRN Kosova, njëherit kryeredaktor i mediumit “Kallxo.com”, ka mohuar pretendimet e Halilit, duke thënë se nuk bëhet fjalë për kurdisje dhe se procesi po zhvillohet sipas ligjit dhe procedurave të brendshme.
“Ashtu siç e kemi potencuar në reagimin tonë po e ripërsërisim edhe për ju: pretendimi i z. Halili se në këtë rast ka shkelje – është një shpifje”, thotë autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”.
Komisioni për Vepra Audiovizuale i Radiotelevizionit të Kosovës, në një reagim më 11 gusht 2025, thanë se publikimi i komunikimi të brendshëm nga ana e Arsim Halilit është bërë pa autorizim zyrtar dhe paraqet përmbajtje të nxjerrë jashtë kontekstit, sipas tyre, duke manipuluar dhe shtrembëruar kuptimin e vërtetë të materialit.
“Çdo publikim i pjesshëm apo jashtë kontekstit, pa autorizim dhe pa pasqyrim të qëndrimit zyrtar, është shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe rregulloreve të RTK-së”.
Shuma që ka vlerësuar BIRN Kosova për realizimin e dy emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, është rreth 420 mijë euro. Në rast se propozimi kalon në komision, 25 përqind e kësaj shume pritet të mbulohet nga RTK’ja.
Kërkesa e BIRN në RTK për rikthim të këtyre emisioneve është bërë më 30 qershor të këtij viti. Gjatë kësaj kohe, siç raportoi më 3 shtator 2025 gazeta online Reporteri.net, organizata e themeluar nga Jeta Xharra ishte në pritje të një vendimi nga Gjykata Komerciale rreth një procesi përmbarues me RTK’në, ku kërkohen 175 mijë eurot që transmetuesi publik i ka borxh për prodhimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, për periudhën shtator 2017 deri në maj të 2020-ës.
Aktvendimi që ishte marrë 15 ditë më vonë, zbulon se BIRN Kosova e kishte çuar RTK-në në përmbarim qysh më 25 shkurt 2021, për 21 fatura të papaguara.
Por, RTK-ja e kishte kundërshtuar përmbarimin, nën pretendimin se një pjesë e tyre ishin parashkruar. Rasti kishte kaluar për trajtim në Gjykatën Komerciale, e cila konfirmoi në shkallën e parë se 5 faturat që BIRN Kosova ia lëshoi RTK-së gjatë viteve 2017–2018, që kapin vlerën e 23,600 Eurove janë parashkruar sipas ligjit./Reporteri.net