“Opozita” i përgjigjet Kurtit: Po jeton në një univers paralel, nuk i gëzohemi prishjes së raporteve me Amerikën

Partitë opozitare i kanë reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sot ka thënë se ato po e zmadhojnë çështjen e pezullimit të Dialogut Strategjik nga ShBA-ja.

Zyrtaret e PDK-së dhe LDK-së e kanë kritikuar liderin e VV-së për këto pretendime. Sipas tyre, Kurti po jeton në një univers paralel dhe se opozita kurrë nuk i gëzohet prishjes së raporteve me Amerikën.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vlerësuar se pezullimi i Dialogut Strategjik nga ShBA-ja është gjeja më e rëndë që i ka ndodhur Kosovës në 25 vjet liri.

Ajo ka bërë me dije se kurrë nuk do të donte ta kritikonte një kryeministër të Kosovës për raportet me ShBA-të.

Kam përshtypjen që z. Kurti po jeton në një univers paralel. S’ka asgjë me të rëndë që i ka ndodhur Kosovës tani e 25 vjet liri sesa vendimi i SHBA-së për pezullim të dialogut strategjik dhe kjo s’është një vërejtje apo qëndrim yni që e bëjmë më dëshirë. Ne kemi mjaft tema që ta kritikojmë z. Kurti dhe asnjëherë nuk do doja që të më jepej mundësia as mua e askujt në Kosovë që të kritikoj një kryeministër të Kosovës për raportet me ShBA-në. Situata në të cilën jemi është një situatë tërësisht e paimagjinueshme, një territor i pashkelur dhe mund të shndërrohet në një situatë potencialisht të rrezikshme”, ka thënë Çitaku për RTK21.

Pezullimi i dialogut, sipas saj, është formalizim i situatës që ka ndodhur në 5 vitet e fundit.

Kjo çka ka ndodhur ditët e fundit është formalizm i një situatë që ka ekzistuar tani e 5 vite. Në një moment të caktuar gjatë administratës të z. Biden u patën anuluar vizitat e ministrave të qeverisë tani e 5 vite këmba e kryeministrit të Kosovës nuk ka shkelur në shtëpinë e bardhë…pastaj më thuani kur ka ndodhur të kalojë një kohë kaq e gjatë pa një vizitë të ndonjë delegacioni të larët ën Kosovë, raportet fatkeqësisht janë në pikën më të ulët të mundshme”, ka thënë Çitaku.

Kurse, nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajram, ka vlerësuar se Kurti sot ka tentuar që ambasadën amerikane në Prishtinë ta paraqes si të veçuar nga politika e jashtme.

Në profilin e saj në “Facebook”, Bajrami ka shkruar se degradimi i raporteve Kosovë – SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por jo opozitën.

“Sipas deputetit Kurti, Ambasada Amerikane në Prishtinë qenka e veçuar nga politika e jashtme amerikane, me siguri edhe kur është tallur me sekretarin e shtetit ka mendu që po bën shaka me një fqinjë të rëndomtë, pra ky është niveli i seriozitetit të Kurtit i cili ka uzurpaur zyrat e shtetit dhe po teston limitet e Prokurorisë, veprimin e të cilës po e presim me muaj. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje uroj shumë ta kuptojnë sa më parë që degradimi i raportëve Kosovë – SHBA e gëzon Serbinë dhe Rusinë, por asesi ish opozitën. Lidhja Denokratike e Kosovës është tejet e shqetësuar për ndërprejen e dialogut strategjik me SHBA-të dhe ne angazhohemi pa ndalë që raportet tona miqësore e diplomatike t’i ruajmë e thëllojmë tutje”, ka shkruar ajo, duke ia kujtuar Kurtit edhe talljen me ish-sekretarin amerikane të shtetit.

Natyrisht, se Kurtit nuk i duket asgjë pezullimi i prpocesit të fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-të sepse kurrë në jetën e tij nuk ka kontribu për të ndërtuar raporte me SHBA-të apo ndonjë aleatë tjetër të shtetit tonë. Kurti është tallur me sekretarin amerikan, është tallur me Shtëpinë e Bardhë dhe tash po tallet me qytetarët e Kosovës, duke thënë se dikush tjetër po ekzagjeron masën e fundit të SHBA-ve që është pezullimi i fillimit të Dialogut Strategjik. Për shkak të Albin Kurtit, Kosova nga mesi i vitit 2023 është në sanksione të BE-së, nuk ka marrë pothuajse asnjë njohje qe 5 vjet, përjashtim njohjes që e solli Pacolli, nuk është anëtarësuar pothuajse në asnjë organizatë”, ka shkruar Bajrami.

Çka tha Kurti?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për pezullimin e Dialogut Strategjik nga ShBA-ja.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, ai ka thënë se Kosova nuk është prishur me Amerikën.

Sipas tij, opozita po i zmadhon gjerat.

Sa i përket njoftimit nga ambasada amerikane javën e kaluar, se pari, duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Armiken, por kemi disa dallime. Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë tonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t`i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët tanë se qeveria e jonë i trajtojnë seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e ambasadës amerikane”, ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti ka treguar se në cilat çështje Kosova ka dallime me ShBA-në.

Sipas tij, këto mospajtime ekzistojnë vetëm në fushën e diplomacisë.

Përgjatë mandatit tonë jemi angazhuar që raporte dhe partneriteti ynë me ShBA-të të forcohet në tri shtylla kryesore: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomaci kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime ngaherë jo për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, padyshim që ka ecje substacone në d shtyllat tjera”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se përkundër ngecjeve në shtyllën e diplomacisë, ka ecje substanciale në shtyllën e mbrojtjes dhe të zhvillimit.

Bashkëpunimi ushtarak po vazhdon, me ç’rast blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale po shkon edhe më mirë, kurse në shtyllën e zhvillimit Qeveria jonë hoqi tarifën 10% në produktet me origjinë nga SHBA-ja, Administrata e re atje vazhdoi Programin kompakt të sfidave të mijëvjeçarit (MCC) për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Ai ka vlerësuar marrëdhëniet dhe lidhjet SHBA – Kosovës dhe të dy popujve janë të thella dhe i tejkalojnë qeveritë.

Ato janë ndërtuar mbi një histori të gjatë dhe me themele të forta, ta bazuara në vlera të përbashkëta dhe arritje të rëndësishme. Ne jemi të bindur se komunikimi i vazhdueshëm, i cili është i rregullt, do të bëjë të mundur që të vazhdojmë të ecim përpara së bashku”, është shprehur Kurti.