Ali Ahmeti për krerët e UÇK-së: Nuk janë njerëz të rëndomtë, Kosova ka përgjegjësi për ta

Ish – eprori i UÇK-së, njëherit kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti thotë se Kosova ka përgjegjësi për krerët e UÇK-së në Hagë, ‘sepse nuk janë njerëz të rëndomtë’.

“Unë nuk di detaje por Kosova ka përgjegjësi. Fundi i fundit andej janë njerëzit që kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk janë njerëz të rëndomtë por janë njerëz që kanë mbajtur mbi shpatulla përgjegjësi deri në çlirim por edhe deri në pavarësi të Kosovës”, deklaroi Ahmeti.

“Lufta jonë ka qenë e drejtë dhe drejtësia duhet të vendoset në vend, kjo është një luftë tepër e organizua nga lindja për të luftuar perëndimi, Shtete e bashkuara të Amerikës, Naton, Bashkimin Evropian se ato kanë përkrahur ushtri të cilat kanë bërë krime, njerëz të dezorientu e të paorganizuar. Mirëpo vetë dëshmia e zëvendëssekretarit të shtetit, vetë dëshmia e këshilltarit të Rambujesë dhe dëshmitë tjera që do të pasojnë do të nxjerrin në pah një të vërtetë, një e vërtetë e cila nuk mund të mohohet nga askush ky proces ka filluar keq, në mënyrën më tendencioze me librin e verdhë. Kur u pa që libri i verdhë është një përrallë me mbret etëm e vetëm për të komprementu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, atëherë ndryshoi akuza, në një akuzë të pakuptimtë, ndërmarrje kriminale, kështu që unë jam shumë i bindur që e drejta do të fitojë e do të dalë në shesh”, tha Ahmeti kur u pyet nga gazetarët pasi u përurua shtatorja e Afrim Zhitisë në Llugë të Podujevës.

E sa i përket raportit me Kurtin, ai tha se gjithmonë ka krijuar raporte me institucionet e Kosovës.

“Unë asnjëherë s’kam pasë raport të keq me asnjë institucion, asnjë udhëheqës të Kosovës. Varet nga të tjerët se si i ndërtojnë ato raporte, por unë raportet i kam pasë gjithmonë me institucionet e Kosovës”, u përgjigj Ahmeti.