Raporte jo të mira edhe me Shqipërinë: Kurti nuk e uron Ramën për mandatin e katërt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje ka marrë mandati e tij të katërt si kryeministër i shqiptarëve. Pas miratimit të programit të qeverisë dhe këshillit të ministrave në Kuvend, Rama ka filluar të marrë urime për mandatin e tij nga shumë liderë të Evropës. Por, një të tillë nuk e ka marrë ende nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 24 orë që Rama ka marrë mandatin e ri, kryeministri Kurti ende nuk e ka bërë asnjë urim në profilin e tij në “Facebook”.

Kurti sot ka mbajtur edhe një mbledhje të kabinetit qeveritar. Por, as në adresimin e tij para ministrave në detyrë nuk e ka përmendur fare çështjen e urimit të Ramës për mandatin e ri.

Ndër liderët e parë që e ka uruar kryeministrin shqiptar për mandatin e ri është presidenti i Ukrainës Vlodimir Zelensky.

Në një postim në platformën X, Zelensky është shprehur se pret me padurim të vazhdojë bashkëpunimin dhe dialogun me Ramën për të arritur paqe dhe siguri të qëndrueshme për gjithë Evropën.

“I uroj kryeministrit Rama çdo sukses në zbatimin e planeve të tij ambicioze për Shqipërinë, përfshirë edhe në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, ka shkruar ai, duke folur për vlerat e përbashkëta të të dy vendeve.

Së bashku, do të përparojmë në vlerat tona të përbashkëta dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për kombet tona në Evropë, e cila është e fortë dhe e bashkuar”, ka shkruar Zelensky.

Ndryshe nga Kurti ka vepruar kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimala Basha.

Ky i fundit, e ka uruar menjëherë homologun e tij shqiptar Niko Peleshi sapo ka marr postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Basha i ka uruar Peleshit punë të mbarë dhe suksese në detyrën e re.

Në urimin e tij kryetari Basha ka vlerësuar se të dy kuvendet kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë pranë njëri-tjetrit, duke forcuar bashkëpunimin institucional dhe duke ndërtuar ura vëllazërie për të mirën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.

Mezi pres të takohemi e të bashkëpunojmë ngushtë për të thelluar lidhjet tona institucionale dhe vëllazërore, ashtu siç edhe presin dhe e meritojnë qytetarët tanë në të dy anët e kufirit“, ka thënë në urimin e kryeparlamenatrit Basha.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrat e tij sot janë betuar para presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Pas ceremonisë së betimit në Presidencë, e cila ka zgjatur disa minuta, Rama dhe ministrat kanë bërë foton familjare.

Kuvendi i Shqipërisë dje ka miratuar programin e qeverisë dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Qeveria “Rama 4” në Kuvend ka marrë 82 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.