Kosova vazhdon të renditet ndër vendet më të ndotura në rajon, me nivele alarmante të ndotjes së ajrit, sidomos në zonat përreth termocentraleve me qymyr në Obiliq, shkruan Demokracia.com.
Megjithatë, përkundër kësaj gjendjeje, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se do të vazhdojë shpërndarjen e thëngjillit për punëtorët e saj, si mjet për ngrohje gjatë dimrit. Sipas njoftimit të sindikatës së KEK-ut, furnizimi do të nisë nga data 8 shtator 2025.
Lidhur me ajrin e ndotur, ka reagoi edhe Agron Demi, drejtor i Atlas Institute, i cili tha se ndotja më e madhe nuk regjistrohet më vetëm në Obiliq, por edhe në Prishtinë. “Viteve të fundit, ndotja më e lartë e ajrit me grimcat PM10, nuk është Obiliq, por në mes të Prishtinës. Matësi i kualitetit të ajrit tek ndërtesa e Rilindjes tregon nivelet më të larta të ndotjes, dhe krejt kësaj i kontribuojnë kolonat e veturave dhe veturat e vjetra ndotëse”, u shpreh Demi.
Ai shtoi se problemi i trafikut në kryeqytet duhet të zgjidhet urgjentisht dhe se Qeveria duhet të ndryshojë politikat e importit dhe zhdoganimit të automjeteve, duke vendosur kritere më strikte për regjistrimin e tyre. Përveç trafikut, Demi theksoi se ndotës të mëdhenj mbeten edhe pluhuri, ngrohja me dru dhe me qymyr.
Kështu, ndërkohë që qytetarët e Kosovës përballen me ajër të ndotur, KEK vazhdon të shpërndajë qymyr për punëtorët e saj, një praktikë që e mban të gjallë përdorimin e njërit prej ndotësve më të mëdhenj të ajrit. /Demokracia.com/