Kurti vazhdon talljen: Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në mbledhje e Qeverisë së Kosovës ka folur për pezullimin e dialogut strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar për herë të parë mbi vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, pikërisht për shkak të veprimeve të tij.

Duke folur mbi këtë vendim, Kurti tha se “nuk jemi prishur me Amerikën”, por se kanë dallime.

“Dua të qartësojmë se për bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur, e as komunikimin e rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai sulmoi opozitën, duke thënë se po i stërzmadhon çëshjet.

“Opozitarët po e stërzmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë tonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat e qëndrimet e Ambasadës amerikane”, tha Kurti.

Ai tha se komunikimi është i rregullt me ambasadën.

Për vendimin e ShBA’së për pezullim të dialogut njoftoi Ambasada, ku tha se kjo u bë për shkak shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Sipas ambasadës, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, u tha në njoftim.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth këtij vendimi.

Osmani ka thënë se Presidenca do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt.

 

E para e vendit ka deklaruar se çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë, duke shtuar se secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.

Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Washington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

 

SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.