Kompania ndërtimore TRIANGLE Sh.p.k nga Suhareka ka ushtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër Komunës së Shtimes, lidhur me aktivitetin e prokurimit për tenderin që ka për objekt “Renovimin e Gjimnazit Naim Frashëri në Shtime”. Ankesa është dorëzuar më 18 shtator 2025, shkruan Demokracia.com.
Sipas ankesës së parashtruar, kompania pretendon se Autoriteti Kontraktues (AK) – Komuna e Shtimes ka vendosur në dosjen e tenderit kritere të cilat janë “diskriminuese, të panevojshme dhe të përshtatura për të favorizuar një operator ekonomik të caktuar”, duke cenuar konkurrencën e lirë dhe barazinë mes ofertuesve.
Në dokument, kompania thekson se kishte paraqitur edhe një kërkesë për rishqyrtim në komunë më 4 shtator 2025, porse kjo kërkesë ishte refuzuar si pjesërisht e bazuar, pa u hequr pjesa më e madhe e kritereve të kontestuara.
Pretendimet kryesore të kompanisë
Sipas ankesës së kompanisë, kriteret e vendosura nga Komuna e Shtimes bien ndesh me nenet 6 dhe 7 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), që garantojnë ekonomicitet, efikasitet dhe barazi në trajtim, si dhe me nenin 51 të LPP-së për njoftimin e kritereve të përzgjedhjes. Gjithashtu, sipas tyre, janë shkelur edhe dispozita të rregulloreve sekondare të prokurimit publik.
Në mesin e kritereve të kontestuara janë:
-
Kërkesa për inxhinier arkitekt ose ndërtimtari-konstruktiv me licencë A dhe certifikim si auditor i energjisë, të cilën kompania e quan “të panevojshme dhe të palidhur me natyrën e kontratës”.
-
Kërkesa që inxhinieri i hidroteknikës të ketë edhe certifikatë për menaxhim projektesh, e cilësuar si e pakuptimtë, pasi përvoja e punës mund të dëshmohet ndryshe.
-
Kërkesa që inxhinieri i makinerisë të jetë edhe ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, që sipas ankesës kufizon padrejtësisht pjesëmarrjen.
-
Kërkesa për inxhinier të ndërtimtarisë me certifikim nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), të cilën kompania e konsideron pa lidhje me punët që do të kryhen.
-
Kërkesa për punëtor të certifikuar për menaxhimin e pikave matëse të energjisë elektrike, që sipas tyre është tepër specifike dhe kufizuese.
Po ashtu, ankesa liston një sërë specifikimesh për pajisje të rënda, të cilat kompania i konsideron të vendosura enkas për një operator të caktuar:
-
Damper vetëshkarkues në 3 anë me krah dhe lugë për ngarkim, që sipas kompanisë është kriter i panevojshëm.
-
Cilinder ngjeshës maksimum 1 ton, që sipas tyre nuk mund të arrijë standardet e ngjeshjes së parapara në kontratë, dhe favorizon vetëm një operator që posedon këtë mjet.
-
Gjysmë rimorkio speciale për debllokimin e kanalizimeve, ndërkohë që në kontratë nuk ka punë të tilla.
-
Makinë mbjellëse bari, eskavator robotik elektrik me telekomandë, makinë për shpime horizontale nën rrugë, prerëse për beton dhe asfalt, makinë hidraulike për hapje kanalesh, kositëse speciale për parqe, e të tjera, të cilat sipas ankesës nuk lidhen me natyrën e projektit dhe janë vendosur për të kufizuar konkurrencën.
“Këto kërkesa janë jo relevante, të panevojshme dhe të vendosura qëllimisht për të favorizuar një operator të caktuar, duke diskriminuar operatorët tjerë të interesuar”, thuhet ndër të tjera në ankesën e TRIANGLE Sh.p.k.
Kompania ka kërkuar nga OSHP-ja që të aprovojë ankesën si të bazuar, të urdhërojë ndryshimin dhe përmirësimin e dosjes së tenderit sipas dispozitave ligjore, si dhe të pezullojë përkohësisht aktivitetin e prokurimit deri në korrigjimin e shkeljeve.
“Ne jemi operator i përgjegjshëm, me referenca të lëshuara nga vetë Komuna e Shtimes. Nuk kërkojmë favore, por vetëm që të mos ketë kritere diskriminuese”, theksohet në ankesë.
Tani pritet që Organi Shqyrtues i Prokurimit të shqyrtojë pretendimet e paraqitura nga kompania dhe të vendosë nëse do të aprovojë apo refuzojë ankesën. Nëse ankesa shpallet e bazuar, OSHP-ja mund të urdhërojë ndryshimin e dokumenteve të tenderit ose edhe anulimin e procedurës së prokurimit. /Demokracia.com/