Dëshmia e dytë amerikane pro Thaçit në Hagë: “Hashimi ishte vetëm zëri i UÇK-së!”

Jurisit amerikan, Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, për dy ditë me radhë ka dëshmuar në Gjykatën Speciale.

Williams dëshmoi pro ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, ku njëjtë si James Rubin, edhe ai deklaroi se Thaçi s’kishte kompetenca dhe nuk mund të jepte pëlqimin për marrëveshje pa miratimin e komandantëve të zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

“Ky është një përshkrim i përgjithshëm, për të treguar që s’kishte kompetenca dhe autoritet. Nuk mund t’i rendisja me emra komandantët e zonave”.

“Mund të ju them që ishte shumë e qartë që ai ishte një përfaqësues i UÇK-së dhe ishte zëri i UÇK-së në atë Kështjellë. E kuptova që s’kishte autoritet për të dhënë pëlqimin mbi marrëveshjen”, tha Williams të mërkuren.

Amerikani gjatë dëshmisë së tij konfirmoi se Thaçi “kontrollohej fort nga jashtë” dhe se i njëjti u raportonte komandantëve gjatë kohës sa ai ishte në Rambuje.

“Baza për këtë përfundim janë disa faktorë, bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që Thaçi realizonte me persona të ndryshëm nga jashtë Kështjellës. Kishte thirrje vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës”.

“Nga sa kam kuptuar unë, të paktën bazuar në pyetjet qe kam bërë ‘me kë flet Hashimi gjatë gjithë kohës?’, mua më thonin me Kosovën. Me shqiptarët e Kosovës në Kështjellë, por ideja është që më thonin se ka thirrje telefonike nga mëmëdheu. Gjithashtu vura re, më kujtohet se më shumë binte telefoni i tij. Ai nuk kërkonte thirrje, atij i bënte telefoni”, u shpreh Williams gjatë dëshmisë së tij, njofton Klankosova.tv.

Në ditën e dytë të dëshmisë së Williams u përmend edhe FARK-u, ku tha se “Bujar Bukshoi përpiqej të krijonte një FARK – bazuar fillimisht në Shqipëri dhe përbëhej nga oficerë shqiptarë apo oficerë që kishin shërbyer në forcat ushtarake të Jugosllavisë”.

Ai tha se krijimi i FARK-ut do të mënjanonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e që sipas tij, FARK-u do të kishte aktorë shtesë të armatosur, jo shtetërorë.

“Ishte pjesë e tensionit të thellë, ishte ndërmarrje e re e LDK-së, për të krijuar një krah të armatosur. FARK-u do të kishte aktorë shtesë të armatosur jo shtetëror i cili do të luftonte në emër të popullit të Kosovës dhe duke qenë se do të ishte profesionist pasi do të përbehej me ish-oficerë të ushtrisë jugosllave, dhe kishte gjasa të bëhej aktor në mos, më efikas dhe efektiv i armatosur jo shtetëror, dhe për rrjedhojë do të mënjanonte UÇK-në”, tha Williams tutje, njofton Klankosova.tv.

Në këtë pjesë, Williamsi tha se kryeministri në ekzil aso kohe, Bukoshi, hezitonte të ndante mjete monetare për UÇK-në që ishin mbledhur nga disapora, pasi sipas tij, ai thoshte se ato janë të kushtëzuara.

“Bujar Bukoshi ishte hezitues, hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në. Burimet që ishin mbledhur në diasporë, ishin të kushtëzuara, ishin mbledhur që të financonin sistemin arsimor paralel në Kosovë dhe kujdesin shëndetësor paralel”.

Juristi thotë t’i ketë thënë Bukoshi se “I kemi mbledhur këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin, dhe këtu duam t’i shpenzojmë”.

Ai tutje dëshmoi se për Thaçin dhe të gjithë delegacionin e Kosovës në Rambuje, pavarësia ishte e domosdoshme.

“Pavarësia ka qenë fjala që dilte nga goja e tyre. Thaçi ishte në këtë situatë, pra, si të gjithë të tjerët”, tha ai.

Por për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, ish këshilltyartregoi se Thaçi u largua për një ditë nga kështjella ku po mbahej takimi, për ta realizuar një takim me Adem Demaçin, në Slloveni.

“Nuk më kujtohet data por ishte gjatë pjesës së fundit të negociatave, një ditë para ose një ditë pas. Delegacioni i Kosovës, përfshirë edhe Thaçin ishte në presion nga shumë aspekte. Kishte presion nga komandantët lokalë, dhe kishte presion ideologjik dhe kulturor, veçanërisht nga Adem Demaçi”, tha ai.

Sipas Williamsit, për Thaçin ishte e rëndësishme që Demaçi ta jepte mbështetjen e tij për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Sipas pikëpamjes time, takimi ishte kritik dhe i rëndësishëm sepse Thaçi duhet të tregonte që ai po përfshihej me Adem Demaçin në kuptimin që ai kishte komunikim me Demaçin, sepse ai ishte një person intelektual dhe shumë i respektuar, në moshë më të thyer dhe në mënyrë të tillë që të nënshkruante marrëveshjen, ishte e rëndësishme për Thaçin që të kishte një bisedë apo një takim me Demaçin”, tha Williams, njofton Klankosova.tv.

Paul Williams sot e përfundoi dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e që është amerikani i dytë i thirur nga mbrojtja e Thaçit, pas ish-diplomatit amerikan, James Rubin.