Ndryshime të mëdha në ATK, por emrat e skandaleve mbeten brenda institucionit

Administrata Tatimore e Kosovës ka hyrë në një fazë të re të riorganizimit të brendshëm. Drejtori i sapoemëruar, Mentor Hyseni, i vendosur në krye të ATK-së nga Qeveria Kurti, ka nisur ndryshime në strukturën e institucionit. Ky ristrukturim, sipas vendimeve të tij të para, ka prekur nivelet më të larta të menaxhimit dhe ka sjellë rikategorizime të pozitave të rëndësishme, shkruan Demokracia.com.

Në mesin e lëvizjeve më të bujshme është ajo e Nijazi Asllanit, i cili deri dje ishte zëvendësdrejtor i përgjithshëm i ATK-së, ndërsa tash është degraduar në postin e drejtorit të një departamenti. Kjo rënie në hierarki vjen në kohën kur emri i tij është përmendur në disa kallëzime penale dhe në një nga aferat më të mëdha të viteve të fundit – skandali i 900 mijë eurove ryshfet.

Vendimet e drejtorit të ri kanë prodhuar këtë strukturë të re udhëheqëse, sic ka mësaur Demokracia.com:

  1. Isen Lipovica – Ushtrues detyre i Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm 1

  2. Nijazi Asllani – Drejtor i Departamentit për Procedura dhe Kualitet të Mbledhjes

  3. Alban Qerimi – Drejtor i Departamentit për Shërbim, Gjoba dhe Ndëshkime për DTM, DTMS, Prishtina 1, 2 dhe 3

  4. Ibrahim Çoçaj – Drejtor i Departamentit të Tatimpaguesve të Mesëm (DTMS)

  5. Merita Shoshi – Drejtoreshë e Departamentit Tatimor Rajonal Prishtina 1

  6. Valbona Krasniqi – Udhëheqëse e Divizionit për Avokim të Tatimpaguesve

  7. Burim Troni – Udhëheqës i Divizionit për Shërbime Mbështetëse në Prishtina 1

  8. Valdet Bektashi – Udhëheqës i Divizionit për Shërbime Mbështetëse në Prishtina 2

  9. Teuta Morina – Udhëheqëse e Divizionit për Trajnime dhe Zhvillim

  10. Xhylieta Haxhijakupi – Ushtruese detyre e Udhëheqëses së Divizionit të Burimeve Njerëzore

  11. Sahit Mulliqi – Ushtrues detyre i Udhëheqësit të Divizionit për Koordinim dhe Logjistikë

  12. Fatmire Dragusha – Këshilltare Tatimore në DTM

  13. Gazmend Dobra – Zyrtar i mesëm i Mbledhjes së Detyrueshme

  14. Iliriana Sheremeti – Zyrtare e lartë për Avokim të Tatimpaguesve

Ndryshimet e tilla, të shtrira nga drejtori i përgjithshëm deri në nivele të mesme menaxheriale, shihen si tentativë e Hysenit për ta vendosur një kontroll të ri mbi institucionin dhe për ta distancuar nga figurat e përfolura në skandale. Megjithatë, fakti që një prej emrave më të kontestuar, si Nijazi Asllani, ende mbetet në strukturë, ndonëse i degraduar ngre dyshime mbi sinqeritetin dhe qëllimin real të këtyre lëvizjeve.

Rasti i Asllanit është veçanërisht i rëndë. Ai është përmendur nga biznesmeni Feim Pulaj në akuzat e tij publike se zyrtarë të ATK-së i kishin kërkuar 900 mijë euro ryshfet  rreth 30% të shumës së një rimbursimi të pretenduar, për ta mbyllur çështjen e tij tatimore. Pulaj kishte denoncuar se ishte shantazhuar me fjalët: “4-5 vjet ke me u sjellë nëpër prokurori e gjykata nëse nuk e jep këtë shumë.”

Ky rast lidhet me një hetim të madh të vitit 2024, kur Prokuroria ngriti dyshime për përdorimin e faturave fiktive në vlerë rreth 18 milionë euro dhe tentim-rimbursim të TVSH-së prej 2.8 milionë eurosh. Pulaj, bashkë me 12 zyrtarë të ATK-së, u arrestuan atë kohë, por procesi gjyqësor mbeti pa epilog të qartë.

Së fundmi, Pulaj ka akuzuar ATK-në edhe për falsifikim dokumentesh dhe shkelje flagrante të vendimeve gjyqësore. Ai pretendon se administrata ka fabrikuar një barrë tatimore të rreme, duke përfshirë pronat e prindërve të tij të ndjerë në dokumente zyrtare, me qëllim që të bllokoheshin dhe të paraqiteshin si prona të tij personale. Pulaj e cilëson këtë si “krim shtetëror të organizuar” ku sipas tij kanë bashkëpunuar punonjës tatimorë dhe zyrtarë kadastralë.

Akuzat e tij arrijnë deri aty sa të flitet për uzurpim pronash në kundërshtim me vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, të cilat e kishin shpallur borxhin tatimor të jashtëligjshëm.

Përplasja mes Pulajt dhe ATK-së, e cila ka vite që zhvillohet në opinion publik dhe në sallat e gjykatave, shpalos një realitet të rëndë: një institucion i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbledhur tatimet, akuzohet nga vetë bizneset për korrupsion, falsifikim dhe abuzim me pushtetin. Ndryshimet e fundit të drejtorit të ri mbeten për momentin më shumë një test – për të parë nëse janë hap i parë drejt pastrimit të ATK-së, apo vetëm një riorganizim formal që lë skandalet nën tepih.

Mentor Hyseni, emëruar së fundmi Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës nga Ministria e Financave, lidhet politikisht me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Në vitin 2019, Hyseni ishte kandidat për deputet nga LVV, por nuk arriti të fitojë mandatin.

Ka shërbyer si anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), dhe më pas si kryesues i këtij bordi.

Gjithashtu ka qenë i angazhuar profesionalisht në fusha të financave publike dhe menaxhmentit brenda institucioneve publike, si dhe në pozita të tjera përmbledhëse brenda Qeverisë. /Demokracia.com/