Armatimi i gjetur në Zveçan i takon “Gandit”, të dyshuarit për vrasjen e Afrim Bunjakut

Sot, në pronën e Nemanja Radivojeviq – i njohur si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi.

I njëjti dyshohet si personi kryesor për shpërthimin e bombës nga e cila mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku më 24 shtator 2023 në Banjskë, raporton Klankosova.tv.

Këtë e bëri të ditur ministri i brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Kurse, Policia e Zveçanit ka njoftuar se kanë hasur në një rimorkio ku pas kontrollit kanë hasur në dy thasë me uniforma, antiplumbë, 5 karikatorë të AK-47 me municion dhe pajisje të  tjera ushtarake.

Sipas policisë, dyshohet se këto armë i përkasin një personi të dyshimtë i cili tashmë është në kërkim për rastin “Banjska”, transmeton Klankosova.tv.

Tutje Policia ka bërë të ditur se mjetet e  dyshimta të cilat janë konfiskuar janë si në vijim: 1 Uniformë ushtarake kamufluese, 5 karikator me 132 fishek të armës AK-47, 5 fatrolla për mbajtje te karikatorëve në gjoks, 4 palë pantallona ushtrak, 4 jakne ushtarake, 3 fotrolla të radiolidhjeve, 1 antiplumb, 2 rripa brezi ushtarak 1 jelek taktik, 1 çantë taktike 1 helmetë e gjelbër, 1 kapelë, dhe 1 dritë rrotative.

Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar të armëve”, nuk ka persona të arrestuar”, tha Policia.