“Liria nuk është blerë me para” – Valon Murati mbron dëshminë e Rubin dhe luftën e UÇK-së

Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve se diplomati amerikan James Rubin është paguar për deklaratat e tij në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së.

Përmes një statusi publik, Murati ka kritikuar ashpër, siç i quan ai, “cinikët, sehirxhinjtë e përjetshëm, nihilistët, sabotatorët dhe naivët”, të cilët, sipas tij, po përhapin qëllimisht dyshime mbi dëshminë e Rubin dhe mbi luftën çlirimtare në përgjithësi.

“Së fundmi, diku me zë të lartë, e më shumë me të ultë, po përhapet fjala se James Rubini u paska paguar për dëshminë e tij. Sigurisht të gjithë këta, për hesape të veta, e kanë përqeshur dhe vazhdojnë ta përqeshin luftën çlirimtare dhe bartësit e saj,” ka shkruar Murati.

Ai thekson se liria nuk ka qenë dhe nuk është diçka që blihet me para, por është rezultat i përpjekjeve të gjata historike të shqiptarëve, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Liria nuk është blerë dhe as blihet me para, ndonëse ato kanë qenë e janë të rëndësishme. Ajo ka ardhur si rezultat i përpjekjeve dhe angazhimit gati një shekullor të djemve dhe vajzave më të mira të popullit shqiptar,” thekson Murati.

Ai shkruan se nëse ka një “çmim” për lirinë, atë e ka paguar gjenerata e luftëtarëve dhe dëshmorëve, si dhe lidershipi që ka ditur të krijojë aleanca të fuqishme ndërkombëtare në momentet kyçe historike.

Në fund, Murati kritikon ashpër ata që, sipas tij, kanë justifikuar gjithmonë bashkëpunimin me pushtuesin dhe kanë vënë në dyshim çdo përpjekje të idealistëve për çlirim kombëtar. “Po të ishte për ta, Kosova do të vazhdonte të lëngonte nën robëri,” përfundon ai.