Fillimi prezantimit të dëshmitarëve të mbrojtjes në procesin ndaj sh-krerëve të UÇK-së në Hagë ka lënë nën hije fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale.
Dëshmitë e fuqishme të ish-diplomatit James Rubin dhe të ish-këshilltarit ligjor të delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams, kanë “zhdukur” nga ballina e mediave dhe debatet shoqërore aktivitetet e partive politike për zgjedhje e 12 tetorit.
Ndonëse ka gati një javë që partitë politike po prezantojnë kandidatët dhe ofertat e tyre nëpër komunat e Kosovës, tema kryesore në vend vazhdon të mbetet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kjo sepse këto dëshmi, veçanërisht ajo e James Rubin, po konsiderohen si shumë të rëndësishme për procesin.
Njohësin e çështjeve juridike kanë bërë me dije se dëshmia e ish-zyrtarit të lartë amerikanë ka bërë në kthesë të madhe në proces.
Akademik Arsim Bajrami ka vlerësuar se dëshmia e Rubin përbënte një rrëfim autentik të qeverisë amerikane mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Bajrami ka shkruar se Rubin ka rrëzuar konstrukcionin e akuzës së montuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të ashtuquajturën “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Kjo dëshmi ishte historike, sepse përbënte një rrëfim autentik të Rubin dhe të qeverisë amerikane mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me argumente të fuqishme dhe të pa kundërshtueshme, Rubin rrëzoi konstrukcionin e akuzës së montuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për të ashtuquajturën “ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Gjatë tri ditëve të dëshmisë së tij, Rubin tregoi në mënyrë autentike rolin e Presidentit Hashim Thaçi në ndërtimin e paqes dhe krijimin e partneritetit strategjik me NATO-n dhe shtetet perëndimore. Duke qenë një nga anëtarët të delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë, në cilësinë e këshilltarit ligjor, e vlerësoj se kjo dëshmi do ta bindë trupin gjykues që ta rikthejë procesin gjyqësor në bazamentin e tij real – të mbështetet vetëm në drejtësi dhe të vërtetën që Rubin shfaqi në këto tri ditë”, ka shkruar ai.
Edhe politologu Agon Maliqi ka vlerësuar se ish-nënsekretar amerikan e ka çmontuar argumentin e prokurorisë.
“Rubin me një dëshmi të vetme dhe me autoritetin e SHBA prapa vetes po e çmonton argumentin e përgjegjësisë komanduese të Thaçit i cili është qëndror në rastin e prokurorisë”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, Presidenca e Qeveria kanë zgjedhur heshtjen përballë dëshmisë së ish-ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Ndonëse ish-diplomati i lartë amerikan dëshmoi në favor të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë prej dy ditësh, pushteti aktual ende nuk e ka thënë asnjë fjalë.
As presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe as kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk kanë shprehur asnjë qëndrim për dëshminë tejet të vlefshme të ish-zyrtarit të lartë amerikane.
Pavarësisht së dëshmia e tij po vlerësohet si më e rëndësishmja deri me tani në favor të ish-krerëve të UÇK-së, pushteti aktual nuk po e vlerëson si të tillë.
Deri me tani Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë injoruar në tërësi dëshmitë e Rubinit, i cili si askush tjetër deri me tani ka treguar se lufta e UÇK-së ka qenë e drejt dhe se krimet e pretenduar ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë të pabaza./Nacionale