Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka njoftuar për një takim me ish-presidentin amerikan, Barack Obama, në margjinat e një samiti ku ata ishin pjesëmarrës në Pensilvani të SHBA-së.
Jahjaga tha se Obamës i ka kërkuar angazhimin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, për të cilat Jahjaga tha se janë sfiduar me pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.
“Me ftesë të The Jefferson Educational Society, sot mora pjesë në samitin global në Erie, Pensilvani, ku do te flas per adresimin e pasojave te luftes gjate mandatit tim si Presidente e Kosoves. Ne margjinat e samitit, pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës gjatë mandatit tim, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA dhe Kosovës, të cilat jane sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik se fundmi. Kerkova edhe ndihmen dhe perkrahjen e zotit Obama ne konsolidimin e shtetesise tone në arenën ndërkombëtare”.
Jahjaga tha se Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan.
“Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht falënderues”.