Një zë amerikan në mbrojtje të UÇK-së: Dëshmia që sfidoi narrativën e Hagës

James Rubin, ish-zëdhënësi i diplomacisë amerikane, shkoi të hënën në Gjykatën Speciale në Hagë dhe u ul në karrigen e dëshmitarit për ta rrëfyer të vërtetën e tij në një proces gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Shkoi për ta mbrojtur Hashim Thaçin, ish-presidentit të Kosovës, njeriun i cili e drejtoi politikisht këtë ushtri guerile.

 

15 shtatori shënoi një ditë tejet domethënëse për ish-krerët e UÇK-së që tashmë prej gati pesë vitesh po mbahen në Hagë.

Kjo datë mori peshë të veçantë, pasi brenda sallës së Gjykatës Speciale dëshmoi James Rubin, ish-ndihmës i Sekretarit amerikan të Shtetit.

I përgatitur me kujdes, me qindra orë reflektimi e analizash ndër vite, Rubin u paraqit për të dhënë një dëshmi të saktë, të bazuar në përvojën e tij të drejtpërdrejtë gjatë kohës së luftës dhe proceseve diplomatike që e rrethuan atë.

“Pavarësia e Kosovës ishte e mbështetur, por nuk ua thamë shqiptarëve”

Ish-diplomati amerikan rrëfeu se si udhëheqësve të UÇK-së u bënin thirrje të bashkëpunonin në mënyrë që të arrihej Pavarësia e Kosovës. Ai tha se shqiptarëve nuk iu bë me dije që amerikanët dhe britanikët përkrahnin pavarësinë e vendit, pasi sipas tij, një gjë e tillë nuk pranohej ende nga ndërkombëtarët si shkak i mos-themelimit të qeverisë së Kosovës.

“Ne, kur themi ne jemi bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Blair bashkëpunonte me Clintonin dhe Albright. Ata po na e bënin më të lehtë. Prandaj ne ju bënim thirrje punoni së bashku, por nuk deshëm të ia bënim të ditur se mbështesnim pavarësinë, nuk donim të thoshim se jeni komb ii pavarur, sepse vendi nuk kishte qeveri, ndërkombëtarët nuk e pranonin”, u shpreh ai para trupit gjykues.

“E pashë me sytë e mi”, Rubin i qartë në Hagë: Thaçi s’kishte kompetenca për vendime brenda UÇK-së

Ajo që James Rubin theksoi disa herë gjatë dëshmisë së tij, ishte se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet për të marrë vendime në emër të UÇK-së, pasi, sipas tij, ai vepronte në bazë të urdhrave që merrte nga komandantët e tjerë.

“Unë jam takuar me komandantët, dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin, ata i thanë atij çfarë të bënte, pra nuk i thoshte Hashimi çfarë të bënin por komandantët i thoshin Hashimit se çfarë të bënte”, tha ai.

“Në Kosovë dërgohesha në male”, Rubin flet për takimet me Thaçin dhe komandantët e UÇK-së

Ish-zyrtari i lartë amerikan zbuloi edhe ku i zhvillonte takimet me Hashim Thaçin.

“Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase 3 ose 4 ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, por në një hotel në Shkup, në Maqedoni, dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së, pra çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty”, deklaroi ai.

Rubin: S’kemi gjetur asnjë provë se drejtuesit e UÇK-së donin të ekzekutonin njerëz

Deklarata e fuqishme e tij gjatë dëshmisë përballë trupit gjykues ishte se ata, pra amerikanët nuk kishin gjetur asnjë provë se katërshja e UÇK-së, e as drejtues të tjerë të ushtrisë, donin të ekzekutonin apo vrisnin njerëz.

“Por nga ana tjetër kishim persona të moderuar si Thaçi e Krasniqi që ishin të gatshëm të nëshkruanin Marrëveshjen e Rambujesë. Mirë që nuk i dëgjuan fjalët e ekstremistëve”, u shpreh tutje ish-diplomati.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, Rubin poashtu tha se akuzat ndaj UÇK-së ishin të fabrikuara nga rusët dhe të sponsorizuara nga serbët.

Poashtu, ish-diplomati amerikan tha se serbët gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në.

Në një pjesë tjetër të dëshmisë, ai tregoi si Jakup Krasniqi në kohën e luftës ishte shumë i shqetësuar për popullin e tij, dhe se ai kishte kërkuar dërgimin e trupave tokësore.

Rubin: Hill ishte kundër UÇK-së, vazhdimisht donte ta dëmtonte figurën time

James Rubin fjalë pati edhe për Christopher Hill.

Për të, ish-diplomati amerikan tha se ishte i anshëm dhe kundër UÇK-së.

“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm dhe ishte në favor të LDK-së, kundër UÇK-së. Unë isha i paanshëm. Mua më është kërkuar më udhëheqësin e vetëshpallur të delegacioni. Chris Hill në mënyrë shumë të pamatur ka qenë i anshëm. Është përpjekur të më dëmtoj figurën mua dhe dëmtojë sekretaren Albright duke u thënë se ajo kishte influencuar drejtuesin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne e kishim vetëm një objektiv që deshëm ta arrinim atje”, deklaroi ai gjatë dëshmisë së tij.

Rubin: Fillimisht UÇK-në e përshkruam si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste – ky qëndrim ndryshoi pastaj

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij brenda sallës ku prezent ishte edhe katërshja e UÇK-së, James Rubin tregoi si amerikanët fillimisht menduar se UÇK-ja ishte organiztë terroriste.

Por, ky qëndrim, tha Rubin, ndryshoi pastaj.

“Ne fillimisht i përshkruanim si persona që bënin aktivitete terroriste, pra ndoshta ne shkelëm dëshirën tonë që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë. Sepse për një periudhë të caktuar, derisa e kuptuam mirë situatën ne fillimisht e përshkuam atë si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht, ne nuk donim që të lidheshim apo të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitet terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoi pasi UÇK-ja u pajtua me Rambujen dhe konsideruam që ishin në anën e engjëjve pasi nënshkruan marrëveshjen e paqes”, tha Rubin.

Rubin kishte refuzuar t’i përgjigjet ZPS-së, “kjo nuk është mënyra si trajtohet një burrështetas!”

Pos rrëfimit rreth asaj që kishte parë me sytë e tij e dëgjuar vetë me veshët e tij, amerikani James Rubin, pati edhe kritika për Gjykatën Speciale.

Siç tha ai, kjo nuk është drejtësi dhe mënyra se si trajtohet një burrështetas që ka zgjedhur të vetëdorëzohet.

Ai madje tha se këtë gjykim, nuk e kuptonte nëse ishte “normal” apo jo.

“Jam përpjekur të shqyrtoj me aq sa di unë, artikuj me shkrim ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, e të cilat lehtësisht shfaqen këtu. Rilexova shumë nga materialet, jam takuar edhe me ekipin e Mbrojtjes në Uashington, një ditë të plotë 1 herë ose dy ditë të plota. Kam menduar, kam kaluar pesë vite duke u përgatitur me të. Mendoja nga viti në vit se do hapet gjykimi sot, vitet kalonin dhe asgjë nuk ndodhte. Kam vrarë mendjen sepse u deshën 5 vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë aktakuza u ngrit 5 vite përpara”.

“E mbajta mendjen të mbushur dhe kam menduar për orë të tëra për këtë gjykatë. Kam punuar në pjesën ekzekutive të ShBA-së, kam qenë shumë i zënë në profesionin tim, në një periudhë kam qenë këshilltar i Blinkenit. Më duhet të them që për dëshirën time për të qenë i disponueshëm në gjykatë, kam shpenzuar shumë orë, për të siguruar që Departamenti i Shtetit të më lejonte të jepja dëshmi, ishte një barrë për mua”.

“Kjo nuk është drejtësi”

“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së. Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi. Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.

Rubin: Thaçi donte demokraci – fjalët që thoshte i kthente në veprime

Teksa foli gjerë e gjatë, Rubin përmendi edhe faktin se Thaçi fjalët që thoshte i kthente gjithmonë në veprime.

Dhe kjo, sipas Rubin, ishte ajo që e deshën amerikanët.

“Ai donte një marrëveshje dhe donte demokraci, edhe pse fliste me një gjuhë më komuniste në atë kohë, ishte përmes përkthimit pra pak e vështirë të bëhet vlerësim i saj. Sa i takon bashkëjetesës, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në një regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë dhe e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim”.

Tutje, Rubin tregoi se Thaçi ishte në Kosovë gjatë bombardimeve, pasi me të, shpesh fliste në telefon.

“Më ka thënë që jo çdo herë, por ishte shpesh në Kosovë i fshehur, duke u ruajtur që të mos vritej, dhe duke ndihmuar organizatën e tij, popullin e Kosovës. Më ka thënë që nuk ka qenë gjithmonë aty, por pjesën më të madhe ka qenë brenda Kosovës”.

Edhe pse ish-diplomati ishte i gatshëm ta përfundonte dëshminë të martën, atij iu kërkua të qëndronte edhe 1 ditë më shumë.

Kjo ka shkaktuar pak të  qeshura brenda sallës, pasi Rubin tha: Unë do të qëndroja, nëse është nevoja. Atëherë do të duhej të gjejë një dhomë hoteli?

Megjithatë, Rubin u rikthye sot në karrigen e dëshmitarit për ta përmbyllur dëshminë e tij në mbështetje të Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Gjatë minutave të rezervuar për sot, ai tregoi se Hashim Thaçi ishte i kërcënuar nga Madeleine Albright, pasi kjo e fundit i tha: “Nëse nuk nënshkruan marrëveshjen, po i lë njerëzit e tu të pambrojtur nga serbët”.

Poashtu, ai zbuloi se amerikanët donin që Thaçi të kthehej në udhëheqës i një kombi drejt lirisë.

“Mendoj se Madeleine Albright, ka zgjedhur fjalët e saj. Ajo nuk ka thënë lideri, por ka thënë një prej liderëve, dhe kjo ka dallim. Pra, lideri i një grupi që udhëhiqte kombin e tij drejt rrugës së lirisë. Kjo është edhe fjala që ka përdorur edhe Clinton. Donim që ai të kthehej në një udhëheqës. Albright tha “një drejtues”, kështu e konsideroja edhe unë, pra një drejtues i delegacionit që ishte zgjedhur nga ai shqiptar. Ai ishte një person si kryetar, një drejtues, udhëheqës, pra në Rambuje. Nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë. Të udhëhiqte njerëzit e tij, t’i çonte drejt rrugës së paqes dhe kjo ishte e vështirë, dhe këtë ka dashur ta përcjell edhe Albright, e njihja shumë mirë atë”, deklaroi Rubin para trupit gjykues.

Amerikani i cili për tre ditë rresht dëshmoi në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, në fund brenda gjykatës u shpreh i privilegjuar për mundësinë.

Pavarësisht që ka zgjatur, ai tha se ishte kënaqësi për të, të tregonte atë që dinte.

“Ka qenë privilegj për mua të jem këtu, pavarësisht që zgjati pak si shumë, është një kënaqësi e madhe për mua dhe përdorim shumë i rëndësishëm i kohës sime”.

“Ishte me rëndësi për mua që isha këtu dhe ju thash mendimet e mia, dhe dhashë dëshminë time për këtë çështje”.

Gjatë këtyre tre ditëve dëshmie, James Rubin – tashmë 65-vjeçar, u paraqit me elegancë të matur, duke zgjedhur një kostum klasik të zi. Në dy ditët e para, ai e kombinoi atë me një këmishë të bardhë dhe kravatë blu të errët, ndërsa sot solli një ndryshim të lehtë në stil, duke vendosur një kravatë blu të kombinuar me nuanca vishnjeje.