Një muaj paraburgim për D.N për krime lufte – Ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, kur u vranë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të pandehurit D.N, për shkak të dyshimit për krime lufte.

Kjo Gjykatë ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake pas seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin D.N., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. në cilësinë e Komandantit të Nënstacionit Policor në Zhegër, duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht nenit 86 dhe 87 të protokollit shtesë I të vitit 1977, Konventës së Gjenevës e vitit 1949, duke vepruar në përgjegjësin komanduese, nuk kishte ndërmarr asnjë veprim, që të parandaloj apo ndëshkoj kryerësit e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile të atij fshati nga forcat serbe dhe paramilitarët serb, të kryera me datë 30.04.1999 nga i pandehuri S.A ku janë vrarë 13 anëtarë të familjes Hyseni dhe Shabani në shtëpinë e familjes Hyseni. Edhe pse ishte lajmëruar përmes një letre nga të dëmtuarit D.H. dhe I.H., i pandehuri ka qenë i detyruar të ndërmarrë veprime brenda kompetencave të tij, si komandant i atij nënstacioni, i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar, ndaluar ose për ti paraqitur rastet për hetim apo procedim penal dhe në këtë mënyrë është pajtuar me shkaktimin e pasojës së dëmshme, e këto veprime inkriminuese vërtetohen edhe me deklaratat e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nga të cilat dëshmi vërtëtohet edhe fakti se i pandehuri D.N. ishte komandant i nënstacionit policor në Zhegër, në kohën e kryerjes së veprës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.N. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Lajmi.net/