Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin ka treguar se gjatë vitit 1999, kishte biseduar me ish-presidentin e Kosovës dhe ish-drejtorin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, në lidhje me personat e zhdukur.
Para trupit gjykues, Rubin deklaroi se nuk ishte prokuror që ta pyeste Thaçin me detaje dhe t’i thoshte “më raporto për një muaj” për një rast të tillë.
“Me siguri që po, më duhet të them se kam biseduar shumë herë me Thaçin për kohë të gjatë dhe kur diskutoheshin tema të tilla, unë bëja atë që prisnin amerikanët nga përfaqësuesit e tyre”.
“Pra të pyesja, të interesohesha dhe t’i kërkoj atij të interesohej për këtë çështje. Përshtypja ime është se ai është përpjekur që ta bëjë këtë, unë nuk kam qenë prokuror nuk mund t’i thosha kam dëgjuar për atë rast dhe m’i thuaj të gjitha hollësitë. Po flasim për një situatë lufte përgjigja është jo”, tha ai në gjykatë./Klankosova.tv