Sot përfundon afati për aplikim për vëzhguesit e subjekteve politike për vëzhgimin e Zgjedhjeve Lokale

Sot, më 17 shtator, do të përmbyllet afati për 93 subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit, për të dorëzuar në KQZ kërkesën për akreditimin e vëzhguesve të tyre.

Në një njoftim dërguar mediave nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thuhet se “deri më 17 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, të certitifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale”, ndërkaq afatet për vëzhguesit tjerë do të përfundojnë në data të tjera.

Ky është njoftimi i plotë nga KQZ:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve dhe përfaqësuesve të mediave për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Të drejtë për të aplikuar për akreditim kanë:

• subjektet politike të certifikuara,
• organizatat joqeveritare (OJQ),
• organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare,
• organizatat ndërkombëtare të specializuara në fushën e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e të të drejtave të njeriut,
• mediat vendore dhe ndërkombëtare, dhe
• përfaqësues të vendeve të huaja.

Kërkesat për akreditim duhet të dorëzohen online brenda afateve të përcaktuara si më poshtë:
• deri më 17 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, të certitifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale,
• deri më 27 shtator 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja, dhe
• deri më 7 tetor 2025 është afati për dorëzimin e kërkesave për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkmbëtare.

Si bëhet aplikimi për akreditim?

Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i organizatës (qoftë organizatë joqeveritare, qeveritare/ndërqeveritare, organizatë ndërkombëtare e specializuar në fushën e zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut, media, apo përfaqësues i një shteti të huaj) duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org

Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë atë dhe do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, ZRCKFSP do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformën online, të cilat i mundësojnë përfaqësuesit të autorizuar që të plotësojë edhe të dhënat për personat e organizatës/media që kërkohen të akreditohen.

Në platformën elektronike online https://apliko.kqz-ks.org është ngarkuar video që shpjegon të gjithë hapat e aplikimit.

Informacione shtesë:

• Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontaktoni Zyrën përmes e-mailit në adresën: [email protected], apo përmes telefonit në numrin +383 38 200 81 010. Zyra është e qasshme nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

• Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kenë të drejtë të vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, si dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).