Shpenzimet kapitale bien nga 3 milionë në 180 mijë euro- Përmbaruesi ‘pastroi’ paratë e kryeqytetit

Përmbaruesit po vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi buxhetin e komunave të Kosovës. Kryeqyteti ka ngritur tashmë një alarm të kuq, pasi kontot e Komunës së Prishtinës janë praktikisht të zbrazura dhe nuk ka fonde për investime kapitale, raporton Demokracia.com.

Në korrik, përmbaruesi i Komunës së Prishtinës kishte arritur kulmin e “kapjes” së buxhetit, duke marrë mbi 5 milionë euro vetëm nga projektet kapitale.

Por gushti ka sjellë një pamje krejt tjetër, shumica e parave tashmë është zhdukur, ndërsa përmbaruesit kanë lënë vetëm pak fonde, të cilat janë nxjerrë nga projektet e investimeve kapitale.

Raporti financiar i gushtit, i siguruar nga Demokracia.com, tregon se Komuna e Prishtinës ka shpenzuar gjithsej 5.8 milionë euro, por me një strukturë krejt ndryshe nga muaji paraprak.

Komuna e Prishtinës në alarm buxhetor: Përmbaruesit i përpinë 5 milionë euro vetëm në korrik

Pagat për punëtorët e sektorëve komunalë kanë dominuar me mbi 4 milionë euro, duke përbërë rreth 70% të shpenzimeve mujore. Pas tyre vijnë mallrat dhe shërbimet me 626 mijë euro, shpenzimet komunale me 231 mijë euro, subvencionet me 776 mijë euro, ndërsa investimet kapitale janë tkurrur në vetëm 179 mijë euro.

Një pjesë e madhe e shpenzimeve në gusht lidhet me vendimet gjyqësore, të cilat vazhdojnë të rëndojnë buxhetin e kryeqytetit. Vetëm Drejtoria e Arsimit ka paguar mbi 69 mijë euro për këtë kategori, sporti mbi 60 mijë, bujqësia 50 mijë, shërbimet kulturore 59 mijë, pa llogaritur detyrime të tjera të shpërndara në drejtoritë komunale. Nga projektet kapitale, janë shlyer vetëm këste të vogla për rrugë e punime infrastrukturore, shumë larg shifrave të korrikut.

Krahasimi mes dy muajve është i qartë, pasi në korrik, përmbaruesi mori miliona nga kontratat ndërtimore, ndërsa në gusht, i kanë mbetur vetëm pagat dhe vendimet gjyqësore. Gushti është periudha kur komunat zakonisht bëjnë më shumë pagesa për investime kapitale, por në vitin 2025, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar vetëm rreth 180 mijë euro.

Për krahasim, gushti i vitit 2024 ishte 3.2 milionë euro.

Ndërsa gushti i vitit 2023 arriti në 4.2 milionë euro.

Komunat e Kosovës po përballen me një rritje të lartë të shpenzimeve nga obligimet gjyqësore dhe përmbarimore. Gjatë periudhës 2022–2024, komunat kanë paguar mbi 163 milionë euro për këto obligime. Përveç kontratave kolektive në arsim, obligime të ngjashme janë realizuar edhe në shëndetësi dhe sektorë të tjerë publikë, përfshirë kompensime për përvojën e punës, shujta, pagesa mbi bazë të inflacionit dhe shpenzime për transport.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës vazhdon të përballet edhe me mungesë financiare të shkaktuar nga qeverisja qendrore, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për investimet kapitale të kryeqytetit. /Demokracia.com/