Në Qeveri, kryeministri në detyrë Albin Kurti e priti për mirëseardhje ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë rreth dy javë më parë, por në Qeveri nuk i shkoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme e po këtij vendi, Elina Valtonen, njëherësh kryesuese e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
Që nga 8 gushti, kur ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u ka kërkuar zyrtarisht institucioneve dhe diplomacisë europiane të shmangin takimet me qeveritarët në detyrë, kontaktet kanë qenë të rralla. Ato që janë zhvilluar kanë qenë kryesisht takime mirëseardhjeje për disa diplomatë të rinj dhe jo takime të nivelit të lartë politik.
Sidoqoftë, gjatë vizitës së saj zyrtare, Valtonen u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe përfaqësues të shoqërisë civile, por jo me qeveritarët në detyrë, të paktën prej asaj që është bërë publike- duke reflektuar kufizimet aktuale diplomatike ndaj ekzekutivit në detyrë.
“Më lejoni të shprehem kështu: Shpresojmë fuqimisht që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje për ngërçin aktual në Kuvend dhe Qeveri”- u përgjigj ajo në pyetjen e KALLXO.com më 16.09.2025, kur u pyet se pse nuk i ka takuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe homologen e saj, Donika Gërvalla-Schwarz dhe se a planifikon t’i takojë qoftë brenda zyreve qeveritare apo edhe jashtë.
Krejt në fillim, Valtonen tha se e mirëpret zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha me shpresën që procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës të veprojë bazuar në Kushtetutë “dhe të shohim një Qeveri të re sa më shpejt më të cilën të vazhdojmë bashkëpunimin.”
Disa ambasadorë Kurti i ka pritur në zyrë. Por, më shumë se një muaj e gjysmë kanë munguar takimet me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Në fillim të shtatorit mirëpriti në takim ambasadoren e re të Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, të cilës i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re. Në Zyrën e Kryeministrit, pas 8 gushtit prej kur u dërgua letra, priti në Qeveri ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, Delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, Imzot Luigi Bianco. Përveç tyre edhe një zyrtar të lartë, Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp.
Por më 8 gusht, qe dita e fundit para letrës së dërguar nga Orav qëkur ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë dhe vetë Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian, e takuan Kurtin në ndërtesën qeveritare.
Vendimi i BE-së, formë e pakënaqësisë
Për ekspertin e Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Europës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, vendimi për të mos takuar qeveritarët në detyrë në objektin e Qeverisë mund të duket i pazakontë, por ka një rëndësi të madhe simbolike: ai tregon mospajtimin e tyre ndaj Qeverisë në detyrë, duke kërkuar që të mos marrin vendime dhe të mos qëndrojnë në zyrat e tyre.
Sipas tij, edhe pse shumë shpesh nuk pajtohet me mënyrën se si BE-ja sillet karshi Kosovës, aktualisht Qeveria në detyrë ka bllokuar institucionet më të rëndësishme politike për një periudhë tepër të gjatë.
“Ajo gjithashtu ka treguar vazhdimisht dhe gjithnjë e më shumë një shkallë shqetësuese të mosrespektimit ndaj rendit institucional parlamentar dhe gjyqësor të Republikës, përfshirë Gjykatën Kushtetuese e cila duhet të respektohet si kulmi i gjyqësorit dhe i qeverisjes ligjore brenda vendit”- tha ai për KALLXO.com.
Clewing thekson se edhe nëse ministrat në detyrë mund të jenë ende në pozicionet e tyre ekzekutive, shumë prej tyre po e shkelin detyrimin e tyre të qartë ligjor për të zgjedhur mes të qenit ministër kujdestar ose deputet i Kuvendit.
“Largimi i ish-ministres në detyrë Albulena Haxhiu, si një nga të paktët juristë akademikë brenda niveleve udhëheqese të VV-së, mund të shihet si tregues negativ kur flitet për ligjshmërinë e qëndrimit të ish-kolegëve të saj në Qeveri”- tha ai.
Rozeta Hajdari dhe Artane Rizvanolli, të dyja të betuara si deputete, nuk kanë pranuar të japin ndonjë shpjegim për KALLXO.com më 08.09.2025, se pse po vazhdojnë të mbajnë pozitat e ministreve në detyrë, përderisa kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tashmë e ka shpallur të konstituar Kuvendin e Kosovës.
Hajdari vazhdon të mbajë pozitën e ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ndërsa Artane Rizvanolli, atë të ministres në detyrë të Ekonomisë, ndryshe nga Albulena Haxhiu e cila pasi u zgjedh nënkryetare e Kuvendit e la postin e ministres në detyrë të Drejtësisë, siç bëri edhe zëvendëkryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, pasi u zgjedh nënkryetare nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.
Sidqoftë, Clewing konsideron se nuk mund të pritet me siguri që aleatët perëndimorë të Kosovës, në këtë rast: BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, të vazhdojnë kontaktet me Qeverinë kujdestare në mënyrën e zakonshme diplomatike dhe ligjore.
“Veprimet e fundit diplomatike mund të duken të ashpra, madje edhe pothuajse jo-diplomatike, por ato tregojnë qartë bllokadën e dëshpëruar dhe të rrezikshme politike, kushtetuese dhe institucionale të vendit. Përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi qeverinë kujdestare”- thotë ai.
Ndërkaq, profesori në Universitetin e Winchesterit, Seb Bytyçi, thotë se moszhvillimi i takimeve në Qeveri është një sinjal pakënaqësie që e dobëson zërin institucional të Kosovës, edhe pse bashkëpunimi teknik nuk ndalet plotësisht.
“Është një presion nga BE për të formuar institucionet”- tha ai për KALLXO.com.
Mandati i rregullt i Qeverisë Kurti përfundoi më 23.03.2025, duke kaluar në Qeveri në detyrë. Kurse, deputetët janë certifikuar me mandatin e ri më 27 mars – atë ditë kur Kurti e ministrat dhanë dorëheqje përmes një letre të përbashkët. Seanca konstituive e Kuvendit u mbyll nga kryetari Dimal Basha më 30 gusht, anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e partive të komunitetit serb.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu javë më parë deklaroi se Neni 30 i Ligji për Qeveri e thotë qartë se Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me po këtë ligj, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit”
Ligji për Qeverinë e përcakton se Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me Nenin 31 të këtij Ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit.