Basha pyetet si do të veprohet pas 30 shtatorit, thotë vetëm se “është konstituuar Kuvendi”

Kryeparlamentari Dimal Basha është pyetur sot se si do të veprohet pas 30 shtatorit, kur përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Basha vetëm ka thënë se Kuvendi është konstituuar, pa u deklaruar për hapat e mëtejshëm.

“Mendoj që e keni pa atë shpalljen…është konstituuar Kuvendi”, ka thënë shkurt Basha.

Vendimi i Kushtetueses, i publikuar me 5 shtator, ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës deri më 30 shtator çdo veprim dhe vendim si dhe ndalon procedurat për formimin e Qeverisë.

“… Gjykata konsideron se pa u vlerësuar pretendimet e lartcekura të parashtruesve të kërkesës në rastin para saj, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.

Sipas Gjykatës, masa e përkohshme mund “të evitojë rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.

Gjykata ka kosndideruar se pa u vlerësuar pretendimet e Listës Serbe, është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit, në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës.

Basha e ka përmbyllur seancën konstituive, pa u zgjedhur nënkryetari serb, duke e konsideruar Kuvendin si të konstituuar.