Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se problemi nuk qëndron te presioni që SHBA-të duhet të ushtrojnë mbi Bashkimin Evropian dhe NATO-n lidhur me luftën në Ukrainë, por tek fakti që vendet anëtare të bllokut dhe Aleancës po blejnë naftë ruse.
“Nuk dua që ata të blejnë naftë ruse, duhet të ndalojnë menjëherë. Nuk është e drejtë ndaj nesh që ata blejnë naftë nga Rusia, ndërkohë që ne duhet të kujdesemi për gjithçka”, u tha lideri amerikan gazetarëve para udhëtimit në Britaninë e Madhe.
Ai shtoi se “e do Ukrainën”, por pranoi gjithashtu se ajo është në “një rrezik serioz”.
“Kjo luftë nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, vendi është në telashe shumë serioze, por unë do ta ndal. Kam ndalur shtatë luftëra në tetë muajt e fundit. Mendoja se do të ishte e lehtë edhe kjo, sepse e njoh (presidentin rus Vladimir) Putinin, por nuk ishte. Ka një urrejtje të madhe mes (presidentit ukrainas Volodymyr) Zelensky dhe Putinit. Por ne do ta ndalim këtë”, pohoi 79-vjeçari.
Ai vlerësoi se Zelensky do të duhet të arrijë një marrëveshje për të përfunduar pushtimin e Ukrainës, por theksoi se “duhen dy veta për të kërcyer tango”.
“Janë dy njerëz, Zelensky dhe Putin, që e urrejnë njëri-tjetrin, por duket se unë duhet të ulem në dhomë me ta, sepse nuk mund ta bëjnë vetë. Aty ka shumë urrejtje”, deklaroi Trump dhe shtoi se “është arritur shumë” në takimin e tij me Putinin në Alaskë muajin e kaluar