Analisti politik Agon Maliqi vlerëson se dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, ka nxjerrë në pah thelbin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë: përpjekjen e prokurorisë për të vërtetuar zinxhirin e përgjegjësisë komanduese.
Sipas Maliqit, pyetjet e gjykatësve gjatë dy ditëve të fundit, si dhe kërkesat për sqarim drejtuar Rubinit, tregojnë se fokusi kryesor është tek mënyra se si funksiononte vendimmarrja brenda UÇK-së. Për këtë arsye, sipas tij, ata po rikthehen në detaje momentet kyçe si marrëveshja e Rambujesë dhe procesi i demilitarizimit, si dhe përdorimi i termave si “qeveri e përkohshme”.
“Pyetjet e gjykatësve dhe kërkesat e tyre për sqarim drejtuar Rubinit e tregojnë thelbin e çështjes dhe shqetësimin kryesor të tyre – të gjitha janë të përqëndruara te vetëm një temë: te të kuptuarit e vendimarrjes brenda UÇK-së. Prandaj edhe po trajtohen në detaj Rambujeja dhe demilitarizimi si dy momente ku ka pasur vendimarrje të rëndësishme, apo edhe po fokusohet te përdorimi në dokumente i termave si “qeveri e përkohshme”. Kjo sepse i gjithë rasti i prokurorisë ndaj Thaçit është te përgjegjësia komanduese – nuk ka dëshmi të urdhërave të drejtpërdrejta për krime por vetëm dokumentim dhe dëshmi për disa krime të shpërndara në kohë dhe hapësirë të cilat i atribuohen një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.” – shkroi Maliqi.
Ai vëren se barra e provës për të dëshmuar se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, e veçanërisht Hashim Thaçi si përfaqësues politik, ka pasur kontroll efektiv mbi zhvillimet në terren, është jashtëzakonisht e lartë dhe e vështirë për t’u arritur sipas standardeve të drejtësisë ndërkombëtare.
“Prokuroria në këtë përpjekje artificiale për të ndërtuar rast masiv ka dalë nga binarët duke e ndërtuar një narracion krejt të shtrembëruar të luftës pa pikë konteksti, thuajse UÇK-ja doli në male për të kontrolluar territor prej pikës së qejfit, e jo pse po përballej me regjim gjenocidal. Barra e saj për të dëshmuar zinxhir komandues dhe aftësi apo fuqi të Shtabit të Përgjithshëm – e sidomos të Thaçit si pëfaqësues politik – për të pasur KONTROLL EFEKTIV mbi zhvillimet në terren në një lloj strukture si UÇK-ja dhe në një kontekst si lufta e Kosovës është tepër e lartë dhe vështirë e arritshme me standardet e drejtësisë ndërkombëtare. Vërtetimi i kontrollit efektiv ka dështuar edhe në rastin e Gotovinës (në nivel të apelit) edhepse Kroacia ka pasur ushtri të konsoliduar në operacionin “Oluja”. Ka dështuar edhe në rastin e Milan Milutinovic, president i Serbisë, sepse sipas gjykatës së Hagës fuqia ka qëndruar në nivel federal te Millosheviqi.
Edhe përzgjedhja e gjykatësve përkon me këtë fokus të rastit. Njëri prej gjykatësve, zvicerani Mettraux, ka specializuar në temën “përgjegjësisë komanduese” madje ka shkruar libër për të. Ai përndryshe ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Gotovinës, bashkë me avokatin e Thaçit, Luka.” – shkroi Maliqi.