Rubin: Organet e OKB-së shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, u pyet në Gjykatën Speciale nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së.

“Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport”, është shprehur Rubin.

“Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh”, ka thënë ai.

“Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti”, ka shtuar Rubin.

Ai ka thënë se raportet e Kryqit të Kuq i konsideronte më të besueshme.

Më herët, Rubin pohoi se mund të jetë në dijeni të raporteve nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilat shkruanin se UÇK-ja ishte përgjegjëse për vrasje, ndalime, rrëmbime edhe të civilve shqiptarë.

Prokurori e pyeti për disa artikuj specifikë në gazetat e asaj kohe për vrasje dhe arrestime të disa individëve.

Megjithëse ai shtoi se nuk i kujtohen raste specifike që janë shkruar në raprote apo në mediat ndërkombëtare pas më shumë se 20 vjetësh.