Nënkryetari i OVL-UÇK: Dëshmitarët e mbrojtjes do të sjellin kthesë të madhe në Hagë

Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së, në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me protestën e djeshme të mbajtur në Hagë, një ditë para fillimit të dhënies së dëshmive nga dëshmitarët e mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka thënë se ka pritur një kthesë të madhe në këtë proces me dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes.

“Unë edhe ashtu kam pritur një kthesë të madhe në këtë proces me paraqitjen e dëshmitarëve të mbrojtjes, sepse jam i bindur se do të dëshmojnë njerëz kredibilë, njerëz të cilët kanë qenë realisht në rrjedhën e ngjarjeve dhe nuk do të jenë persona të fshehur siç kanë qenë ata dëshmitarët e Prokurorisë, për të cilët nuk është ditur as kush janë e as çfarë kanë thënë, një mungesë totale transparence”, ka deklaruar Sopi.

“Jam i bindur që dëshmitarët e mbrojtjes janë njerëz kredibilë dhe do ta thonë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Ne gjithmonë kemi kërkuar një gjë të tillë. Ne nuk jemi kundër drejtësisë, por jemi kundër padrejtësisë që po bëhet në emër të drejtësisë”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka theksuar se tani procesi po ecën drejt rrugës së duhur dhe “qitjes në binar” të tij, duke shtuar se deri më tani procesi kishte devijuar nga qëllimi për të cilin ishte formuar.