Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, beson se Rusia e ka “humbur përballjen” që filloi me ndërhyrjen e dronëve në Poloni më 10 shtator.
Në një intervistë të dhënë në kuadër të konferencës së Strategjisë Evropiane të Jaltës (YES) në Kiev, Sikorski shprehu optimizëm në lidhje me reagimin e NATO-s dhe zhvillimet e mëtejshme, shkruan Kyiv Independent.
Incidenti i detyroi aleatët e NATO-s të siguronin aeroplanë luftarakë me vlerë miliona dollarë për t’iu kundërvënë dronëve me vlerë mijëra dollarë.
Varshava kërkoi zyrtarisht konsultime sipas Nenit 4 të traktatit të NATO-s pas sulmit, i cili u lejon anëtarëve të diskutojnë kur ndiejnë se siguria e tyre është e kërcënuar.
Ky hap, megjithatë, nuk e aktivizon Nenin 5, i cili e trajton një sulm ndaj një anëtari si një sulm ndaj të gjithëve.
Më 12 shtator, NATO njoftoi një operacion të ri parandalues të quajtur “Roja Lindore”, por Sikorski shpjegoi pse Rusia nuk u hakmor: “Sepse pati vetëm dëme të vogla materiale dhe askush nuk u vra”.
“Disa media spekulojnë se trajektorja e disa prej dronëve ishte drejt Rzeszow, aeroportit kryesor përmes të cilit kalojnë pajisjet për Ukrainën. Detyra jonë e parë është të mbrojmë atë qendër nga sabotimi, spiunazhi dhe sulmet kinetike ruse.”
Ministri polak beson se sulmi rus ishte një përpjekje për të testuar mbrojtjen dhe vendosmërinë e NATO-s në krahun lindor.
Ndërsa e përshkroi përgjigjen polake si të suksesshme, ai pranoi se vendi i tij duhet të jetë më i përgatitur për sulme të ardhshme.
Kërcënimi u konfirmua vetëm disa orë pas intervistës, kur një dron rus hyri në hapësirën ajrore rumune.
Ukraina është ofruar të ndihmojë Poloninë të forcojë aftësitë e saj të luftës elektronike dhe të përgjimit të dronëve, duke përdorur pajisje më të lira për të rrëzuar mjete ajrore pa pilot.
Ministria polake e Mbrojtjes konfirmoi më 12 shtator se ekspertët nga të dy vendet do të praktikojnë përdorimin e sistemeve anti-dronë në territorin polak.
Sikorski konfirmoi se pas sulmit ndaj Polonisë, ideja e mbylljes së një pjese të hapësirës ajrore ukrainase duke përdorur mbrojtjet ajrore të stacionuara në vendet e NATO-s mund të rishqyrtohet.
Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrij Sibiha, e konfirmoi këtë.
“Mendoj se me veprimet e tij, Putin mund ta ketë çuar përpara këtë ide sepse ne e menaxhojmë hapësirën tonë së bashku, dhe opinioni po lëviz drejt kësaj ideje”, tha ai.
Pavarësisht gjithçkaje, Sikorski beson se NATO ka treguar unitet dhe gatishmëri.
“Unë besoj se i treguam Rusisë se NATO është gati dhe e bashkuar”, përfundoi ai.
Sikorski mbështeti kërkesën e Trumpit për t’i dhënë fund importeve ruse të energjisë, duke kritikuar Hungarinë, por ishte më i kujdesshëm në lidhje me çështjen e tarifave për Kinën.
“Ne duhet të sanksionojmë agresorin. Dhe agresori është Federata Ruse. Ne kemi prezantuar 18 paketa sanksionesh në Evropë. Po punojmë për paketën e 19-të”, tha Sikorski.
Çfarë do të thoshte mbyllja e qiellit?
Kur njerëzit flasin për “mbylljen e qiellit” nga NATO-ja, ata nënkuptojnë futjen e një zone ndalim-fluturimi mbi një zonë të caktuar.
Në praktikë, kjo do të thoshte që NATO do të vendoste mbrojtje ajrore dhe aeroplanë luftarakë për të parandaluar hyrjen e aeroplanëve, raketave ose dronëve armik në atë hapësirë ajrore.
Nëse ndonjë mjet fluturues do të hynte, ai do të rrëzohej.
Në kontekstin e Ukrainës, mbyllja e qiellit do të thoshte që NATO do të merrte kontrollin e një pjese të hapësirës ajrore ukrainase, duke përdorur sisteme të mbrojtjes ajrore të vendosura në vendet anëtare të NATO-s (p.sh. Polonia, Sllovakia ose Rumania), gjë që do ta mbronte më tej Ukrainën nga sulmet ruse me raketa dhe dronë.