Analisti Agon Maliqi ka komentuar rreth dëshmisë së ish-diplomatit amerikan James Rubin në Hagë, i cili është shfaqur atje si dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Maliqi ka thënë se dëshmia e tij është e një rëndësie historike dhe do të mbetet një dokument që përmbys shumë narracione propagandistike.
Sipas Maliqit, Rubin “e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë, e të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje, se UÇK ka pasur strukturë qëndrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike”.
Tutje, Maliqi ka theksuar se në dëshmin e amerikanit, bashkëpunëtor i Albright, Thaçi “portretizohet si figurë politike për menaxhimin e marrëdhënieve me jashtë, i deleguar për këtë punë nga komandantët të cilët kishin kontroll efektiv mbi terrenin, por edhe i vëmendshëm për peshën historike të momentit dhe i gatshëm për t’ju ndihmuar amerikanëve për ta shtyrë UÇK-në drejt agjendës së perëndimit” vlerëson Maliqi.
“ Nëse dikush mendon se kjo e zhvlerëson peshën e tij historike, unë mendoj se e bën të kundërtën” ka shtuar Maliqi.
Postimi i plotë
Dëshmia e Rubinit, e që besoj se do të vijohet edhe nga dëshmi të tjera, është dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm historik që i përmbys shumë narracione propagandistike. Ai e çmonton argumentin kryesor të prokurorisë, e të cilin e di çdo njeri në Kosovë me sens arsyeje, se UÇK ka pasur strukturë qëndrore të konsoliduar apo dhe të aftë për të udhëzuar dhunë dhe krime në mënyrë sistematike. Por e jep pasqyrën e një grupi të decentralizuar dhe kaotik që vepronte në rrethanat e përballjes me një shtet me plane shfarosëse që u materializuan në Bosnje – kontekst kyç të cilin prokuroria e anashkalon krejtësisht, thuajse UÇK doli maleve me kontrollu territor prej pikës së qejfit.
Thaçi portretizohet si figurë politike për menaxhimin e marrëdhënieve me jashtë, i deleguar për këtë punë nga komandantët të cilët kishin kontroll efektiv mbi terrenin, por edhe i vëmendshëm për peshën historike të momentit dhe i gatshëm për t’ju ndihmuar amerikanëve për ta shtyrë UÇK-në drejt agjendës së perëndimit. Nëse dikush mendon se kjo e zhvlerëson peshën e tij historike, unë mendoj se e bën të kundërtën.
Dëshmia e bazuar në raporte të inteligjencës gjithashtu nuk mundohet ta mohojë ekzsitencën e krimeve sporadike ndaj civilëve, por e konteston idenë se ajo ka qenë e organizuar dhe aludon – saktësisht do të thoja – se ajo ishte më shumë produkt i kaosit dhe mungesës së kontrollit, si dhe e tërheq vërejtjen se ka pasur edhe propagandë të Beogradit. Është e qartë se krimet e dokumentuara nga prokuroria kanë qenë më shumë qerime lokale hesapesh apo sulme hakmarrëse, dhe se viktimat e tyre meritojnë drejtësi. Por prokuroria e Speciales qartazi e ka humbur adresën e kësaj përgjegjësie duke u munduar ta ndërtojë një akuzë politike, duke prodhuar kështu padrejtësi të dyfishtë.
Dëshmia e Rubin ishte e rëndësishme edhe për një arsye tjetër: kredibiliteti. Ai e nisi dëshminë me porosinë se ishte Albright ajo që e kishte themeluar Tribunalin e Hagës, dhe se nëse dikush do të hezitonte të përfshihej me kriminelë lufte, ishin ajo dhe Rubin.