Italianët admirojnë Modric: Përveçse dirigjon orkestrën kuqezi, siguroi tri pikë jetike…

“Milani shijon Luka Modric, i cili përveçse dirigjon orkestrën, duke vënë rregull mes sulmuesve, mori përsipër edhe të shënonte golin që shembi Bologna”. Kështu u shpreh Paolo Condò, i cili nuk i kurseu fjalët e ëmbla dhe admirimin për kroatin legjendar. Në moshën 40-vjeçare, Modric nuk ka zgjedhur “pensionin”, por ka ndjerë ende nevojën për t’i dhënë futbollit dhe mos e lënë atë.

Të dielën mbrëma, Modric zgjidhi një ndeshje të vështirë ndaj Bologna, me një goditje të pastër e të saktë, që solli fitoren 1-0 dhe tri pikë jetike për kuqezinjtë. Pikë jetike për tri arsye, sipas Condò: Milani mbeti në hap me kryesuesit; parakaloi Interin, duke thelluar nervozizmin e zikaltërve; shikon më i lehtësuar kalendarin që vjen.

Deri te pushimi i ardhshëm i kombëtareve, Milani do të ketë përballje të forta: Udinese, Napoli dhe Juventusi në “Allianz Stadium”. Gjithsesi, skuadra është ende në ndërtim: “Ka ende shumë për t’u përmirësuar; mjafton të mendojmë që Leao ende s’e ka parë fushën, që Nkunku sapo ka nisur ta heqë pluhurin dhe Gimenez endet mes mungesës së fatit dhe gafave”.

The post Italianët admirojnë Modric: Përveçse dirigjon orkestrën kuqezi, siguroi tri pikë jetike… appeared first on Telesport.