Frika nga përplasjet, Vuçiç degdis ndeshjen ndaj Shqipërisë në një stadium 8 mijë vendesh

Kaosi në Serbi arrin kulmin. Ndeshja ndaj Shqipërisë, e 11 tetorit, pritet të zhvendoset nga Beogradi, duke ngjallur ankth të thellë dhe frikë politike. Pas humbjes katastrofale 5-0 nga Anglia në “Marakana” dhe thirrjeve kundër Kosovës e Vuçiç, presidenti serb ka kërkuar spostimin e sfidës drejt Leskovacit, në një stadium 8 mijë vendesh, për ta përballuar më lehtë tensionin dhe pakontrollueshmërinë e situatës.

Vuçiç, nën presionin e madh të protestave të studentëve në vend, duke ditur edhe antagonizmin historik dhe politik me shqiptarët, po bën çmos t’i dalë se keqes përpara: “Kërkova të mos luanim me Anglinë në Beograd, por nuk më dëgjuan. Tani do të luajmë me Shqipërinë në Leskovac. Atmosfera do të jetë më e mira e mundshme. Ndoshta do të humbasim, ndoshta do të fitojmë, por njerëzit do të brohorasin për Serbinë, me gjithë forcën dhe zemrën e tyre”.

Zhvendosja e ndeshjes reflekton panikun e Vuçiç nga protestat në vend, por edhe ndikimin e thellë të tensioneve historike dhe politike, ku futbolli bëhet arenë e përplasjeve që shkojnë përtej sportit.

The post Frika nga përplasjet, Vuçiç degdis ndeshjen ndaj Shqipërisë në një stadium 8 mijë vendesh appeared first on Telesport.