Çitaku: Do t’i tregojmë Kurtit që Kosova nuk është pronë private e tij

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar sot se do t’i tregojnë kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, se Kosova nuk është pronë private e tij.

Ky koment u bë gjatë një tubimi elektoral në Podujevë, ku Çitaku adresoi kritika ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti, duke përmendur edhe pezullimin e dialogut strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo falënderoi qytetarët që, sipas saj, “nuk e braktisën asnjëherë projektin politik të Hashim Thaçit”.

”Do t’i tregojmë Albin Kurtit që Kosova nuk është pronë private e tij”, tha Çitaku.

”Nuk jemi bukëpërmbys, nuk harrojmë kush ka qenë me neve në ditët dhe orët më të rënda”, tha ajo.