Protesta e sotme në Hagë, Kelmendi: Ka gjasa të jetë më e madhja e zhvilluar ndonjëherë

Gazetari i njohur, Adriatik Kelmendi përmes një lidhje direkte nga Haga, foli për protestën e sotme të mbajtur atje, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kelmendi tha se ka gjasa që kjo të jetë protesta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë, siç u shpreh ai, për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi.

“Mund të them se ka gjasa që kjo të ketë qenë sot protesta më e madhe që është zhvilluar ndonjëherë për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi dhe besoj se është një lajm i mirë, për shkak se të kujtojmë në kohën kur u ngritën aktakuzat dhe në kohën kur u arrestuan katërshja e madhe e UÇK-së, ishte edhe periudha e COVID-it dhe atëbotë kishte qenë e pamundur që të organizohej një protestë për të ngritur zërin së paku për të thënë që këta që u morën nuk janë jetimë dhe ka një popull në Kosovë që e vlerëson se lufta e UÇK-së  ka qenë luftë e drejtë dhe se duhet pasur kujdes kur kemi të bëjmë me luftën e UÇK-së”, u shpreh ai.

Duke folur për protestën, Kelmendi tha se kjo shënon një moment shumë të rëndësishëm, për arsye se siç u shpreh ai, nesër fillon edhe faza përfundimare.

“Kjo shënon një moment shumë të rëndësishëm, për arsye se nesër fillon edhe faza përfundimtare dhe është me rëndësi t’i tregohet gjithë botës se nëqoftëse nuk do të ketë drejtësi në fund të këtij procesi, drejtësi natyrisht që e dëshirojnë të gjithë, atëherë ky do të jetë një dështim jo vetëm i Kosovës, por dështim i të gjithë atyre që kanë ndihmuar që Kosova sot të gëzojë lirinë dhe të gëzojë Pavarësinë, në krye të së cilës në këto periudha kanë qenë edhe disa si figura kryesore, që sot mbahen prapa grilave të kësaj ndërtese”, tha tutje Kelmendi./Klankosova.tv