Mijëra njerëz u mblodhën edhe në Hagë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U kërkua regim ndërkombëtar dhe u tha se akuzat ndaj ish-udhëheqësve shqiptarë të luftës në Kosovë e ofendojnë edhe NATO-n. Protesta u mbajt një ditë para se avokatët e ish-krerëve të UÇK-së të nisin paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve. Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmon nesër.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë luftës.
Mijëra qytetarë u mblodhën në një protestë sot në një park të madh në qendër të Hagës në Holandë, ku e ka selinë kjo gjykatë. Ata kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët po përballen me një proces të stërzgjatur dhe të shumëkritikuar gjykimi, i cili duket se ka hyrë në fazën përfundimtare.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati tha se Gjykata Speciale po përpiqet ta shtrembërojë historinë e UÇK-së. Ai tha se “bota demokratike nuk duhet t’i mbyllë sytë karshi padrejtësive kaq të mëdha”.
“U bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të mos ndëshkohet Kosova për lirinë e saj. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Këtu jemi për të thënë se nuk do të lejojmë të nëpërkëmbët sakrifica e Kosovës”, tha Gucati.
Robert Bosch, i cili shërbeu si ambasador i Holandës në Kosovë kur u themelua Gjykata Speciale, tregoi në protestën e sotme në Hagë se si atij, sikurse edhe diplomatëve të tjerë, u ishte kërkuar që të bënin presion për themelimin e saj.
Kjo, ai tha se nuk i kishte pëlqyer dhe i ishte dukur “e pakuptimtë që serbët të mos gjykoheshin nga kjo gjykatë”, por shtoi se “e bëra punën time”.
Ai gjatë fjalës së tij kujtoi edhe një bisedë me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Më kujtohet kur e takova Thaçin, ai ishte i shqetësuar. Por, i thash nuk ke pse të shqetësohet sepse gjykimi është i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave”, tha Bosch.
Ish-ambasadori tha se është “ofendim i madh për NATO-n” nëse e quan “UÇK-në organizatë kirimanale”, duke iu referuar akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Ta quash UÇK-në organizatë kriminale është ofendim i madh për NATO-n sepse NATO-ja nuk bashkëpunon me organizata kriminale”, tha ai.
Bosch tha se “NATO nuk bashkëpunon me organizata kriminale”.
Protesta përfundoi e qetë, ndërsa mijëra njerëz u shpërndanë duke brohoritur emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi. Në mbyllje të saj, atyre iu kërkua të shpërndahen të qetë, “pa shkaktuar asnjë incident, në mënyrë që të mos kemi asnjë problem me autoritetet shtetërore”.
Disa policë u rreshtuan pranë objektit të Speciales, duke formuar një kordon sigurie.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i falënderoi pjesëmarrësit në protestën e sotme, duke thënë se mesazhi që doli nga ajo ishte “i qartë”.
“Falënderim i veçantë për mërgimtarët, luftëtarët, qytetarët dhe mediat që morën pjesë në protestën e sotme të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Mesazhi ynë i përbashkët ishte i qartë: Jo në emrin tim!”, thuhet në një postim të OVL-UÇK-së në Facebook. /Express