Më pak profesionistë shëndetësor po ikin nga Kosova

Viti 2025 ka shënuar rënie të numrit të profesionistëve shëndetësor që po e braktisin sistemin shëndetësor publik. Liberalizimi i vizave, por edhe konkurset specialistike po shihen si faktor kyç që ka ndikuar që të bie interesi e mjekëve dhe infermierëve për të ushtruar profesionin e tyre në vendet tjera.

Edhe pse këto zhvillime paraqesin një hap përpara për sistemin publik shëndetësor, ekspertët tërheqin vërejtjen se largimi i tyre po e rëndon ndjeshëm funksionimin e sistemit shëndetësor në vend. Rritja e ngarkesës mbi profesionistët e mbetur, zgjerimi i listave të pritjes dhe pakënaqësia në rritje e pacientëve, janë vetëm disa nga pasojat që po ndihen gjithnjë e më shumë.

Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj për KosovaPress, thotë se deri në këtë periudhë të vitit, 54 mjekë kanë kërkuar dokumentet përkatëse që iu nevojiten për punësim jashtë vendit.

Sipas tij, krahasuar me vitet e kaluara ka rënie të trendit të mjekëve që duan të ikin nga Kosova, megjithatë shqetësues për të mbetet numri i madh i mjekëve të papunë.

“Faktikisht trendi është në ulje, prej kohës së pandemisë e prapa është në ulje. Edhe këtë vit është në ulje, do të thotë për të njëjtën kohë që po flasim e deri më sot janë diku tek 54 certifikata që janë marrë për botën e jashtme. Është një numër në rënie kjo ka ndodhur edhe për arsye të liberalizimit të vizave dhe lehtësimeve që iu japin dhe ndryshimeve të legjislacionit kryesisht në Gjermani ose edhe mbushjes së tregut gjerman që ka kërkesë më specifike. Trendi është në ulje, shqetësuese është akoma numri i mjekëve të papunë i mjekëve të përgjithshëm…që është mbi 500 të papunë që është shqetësuese por ka ndikuar edhe konkurset e shpeshta të specializimeve që janë bërë të paktën në këto 3 vitet e fundit, brenda vitit minimumin ka qenë pothuajse çdo vit 2 konkurse që kanë përfunduar dhe kjo e ulë normalisht kërkesën për dalje jashtë“, theksoi ai.

Radiologu Naser Gjonbalaj pohon se aktualisht ata që po e braktisin shërbimin publik shëndetësor janë kryesisht mjek të rinj dhe jo specialistë.

“Janë kryesisht mjek të rinj, mjek të rinj llogarisim edhe ata që kanë kryer specializimin ose janë në prag të përfundimit të specializimit, por pjesa më e madhe janë mjekë të përgjithshëm….e mira në këtë trend është se specialistët kanë filluar të mos dalin është numër shumë i vogël i atyre që kanë përfunduar specializimin dhe kanë kërkuar që të dalin jashtë“, tha Gjonbalaj.

Se numri i profesionistë shëndetësor që po e lënë shërbimin publik është në rënie e thonë edhe nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësor. Sipas të dhënave të kësaj Ode, këtë vit janë bërë 157 kërkesa nga infermierët për dokumente e nevojshme që nënkupton kërkesën për punësim jashtë vendit.

“Në bazë të të dhënave për lëshimin e dokumenteve që mund të lidhen me migrimin, vihet re se vitet 2022 dhe 2023 kanë pasur numrin më të lartë të kërkesave për licenca (713 licenca në vitin 2023), ndërsa në vitin 2024 ky numër ka rënë në 325, dhe në vitin 2025 (deri tani) trendi është më i ulët (157 kërkesa)”, thuhet në përgjigjen e Odës së Infermierëve.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë thekson se migrimi i profesionistëve shëndetësor e rrit sëmundshmërinë e popullatës.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë thotë se me ikjen e mjekëve dhe infermierëve do të ulet cilësia e këtyre shërbimeve në sektorin publik.

“Ikja e profesionistëve shëndetësor ka një efekt zinxhiror do të kemi profesionist më pak, do të kemi profesionist të kualifikuar më pak, e treta barra e atij kujdesi shëndetësor do të bie mbi profesionistë të mbetur dhe kjo padyshim që ka me ulë cilësinë e kujdesit shëndetësor ka me rrit listat e pritjes. E po ashtu, rrit pakënaqësitë e pacientëve të cilat mund të ndikojnë edhe në bojkotim të kujdesit shëndetësor. E mandej edhe kujdesi publik i qytetarëve mund të ketë problem për shkak të mos qasjes së duhur në shërbime shëndetësore… Kjo e rrit sëmundshmërinë e përkeqëson shëndetin publik të qytetarëve. Çka është problematike tek ne është se nuk po na ikin vetëm profesionistët, por edhe pacientët”, theksoi Kodra.

Eksperti i politikave shëndetësore, Vlorian Molliqaj ka shprehur shqetësimin për trendin e vazhdueshëm të largimit të profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, duke paralajmëruar pasoja serioze për sistemin shëndetësor publik nëse kjo prirje nuk ndalet.

Sipas tij, vazhdimi i këtij fenomeni do të çonte drejt një “plakjeje” të kuadrit profesional.

“Nëse vazhdon ky trend ka me pas që profesionistët shëndetësor në institucionet tona publike të paktën me shkrua drejt plakjes me na ik profesionistët më të mirë shëndetësor dhe nëse kjo ndodh atëherë kishim me pas kohë më të gjatë të pritjes, cilësi më të ulët të shërbimeve shëndetësore për të gjithë pacientët apo qytetarët e Kosovës që marrin shërbime. Dhe kishte me pas ndikim përgjithësisht negative në shëndetësinë e popullatës në vend…Këta nuk po ikin për kushte më të mira ose për mundësi për të kryer specializimin, por edhe mundësi për të pasur zhvillim të karrierës më të mirë që nuk e kanë fatkeqësisht në Kosovë”, theksoi ai.

Viteve të mëparshme ka qenë shumë shqetësuese ikja e profesionistëve shëndetësor, sidomos gjatë periudhës së pandemisë COVID 19. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës nga 2018 e deri tani 936 mjekë kanë ikur nga shërbimi publik shëndetësor.