Kryeqyteti i drejtësisë në botë, Haga e Holandës, ka gjetur rrugët e saj të vërshuara nga shqiptarë të Kosovës dhe anekënd botës me një thirrje: Drejtësi për UÇK-në dhe drejtuesit e saj.
Për pesë vite paraburgim dhe një proces që i ka lënë shije të keqe drejtësisë – krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të tjerët, nga nesër do të kenë figura të larta amerikane si James Rubin, që do të dëshmojnë në mbrojtje të tyre.
Uniforma e flamurë të UÇK-së e këngë si “Fjalë të Qiritit” – i kanë dhënë Hagës një rrymë atmosfere shqiptare: ku qindra e mijëra qytetarë nga diaspora shqiptare dhe Kosova do të pretestojnë kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale.
Vetura të veshura me flamujë e mbishkrime “Liria ka Emër” po bëjnë xhirot e para të protestës kundër Gjykatës Speciale që do të fillojë nga ora 14:00.

Te parku matanë Speciales ku janë mbledhur shqiptarë, një protestues iu drejtua kamerave me kërkesën: “Sa më shumë t’ju dalim hak këtyne burrave. Sa më shumë të brohorasim”.
“O Hashim ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”, ishte një nga brohorimat.
Kryeministr i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës.
Rama shkroi se “me mendje dhe zemër unë jam atje sot Komandant”.
Liria ka emër, shkroi Edi Rama. – “Liri për Çlirimtarët”.
Autoritetet holandeze kanë rritur masat e sigurisë në Hagë, në pritje të protestës së paralajmëruar nga mërgata shqiptare, e cila do të mbahet sot duke filluar nga ora 14:00.
Protesta është thirrur në shenjë kundërshtimi ndaj, siç thonë ata, padrejtësive në procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara.
Organizatorët kanë theksuar se protesta do të jetë paqësore dhe do të shërbejë si mesazh solidariteti për ish-luftëtarët e UÇK-së.
