Një qendër e mjekësisë familjare e ndërtuar në vitin 2023 në Zakutë të Podujevës, ka mbetur me dyer të mbyllura që nga i njëjti vit. Komuna shpenzoi mbi 20 mijë euro për ta ndërtuar dhe që atëherë, nuk e ka funksionalizuar asnjëherë. Megjithatë, të njëjtit thonë se nuk ka plane konkrete aktualisht për rifunksionalizimin e saj, të paktën jo në këtë mandat.
Urgjenca e Re në Qendër të Podujevës u përurua në nëntor të vitit të kaluar duke u cilësuar si një “investim i madh e shumë i dobishëm për shëndetësinë llapjane” nga Kryetari, Shpejtim Bulliqi.
Por, gjersa ky objekt u ndërtua e u finalizua, qendra të mjekësisë familjare ose të paktën të destinuara për të qenë të tilla në fshatrat përreth, kanë mbetur pezull.
E tillë është ambulanca në fshatin Zakutë, rreth 10 minuta larg qendrës së Podujevës.
Përfunduar në vitin 2022, e njëjta dyert i ka të mbyllura sot e asaj dite.
Për Komunën, arsyet qëndrojnë tek mungesa e resurseve humane.
”Buxheti për ambulancën e fshatit Dobërdol- Zakutë është afër 22.284.74 dhe ajo është ndërtuar në vitin 2022. Për shkak të afërsisë së ambulancave të tjera në rrethinën e fshatit dhe mungesës së stafit, funksionimi i saj është i kufizuar” – Adelina Stublla – Drejtoreshë e Shëndetësisë.
Mes të tjerash, Stublla ka lënë të nënkuptohet se nuk ka një plan konkret për ridestinimin e funksionit të saj, të paktën jo në këtë mandat të LVV-së në Podujevë.
”Më tej, varet nga planifikimet që do të ndërmarrim për të ardhmen. Ambulanca mund të ridestinohet sipas nevojave specifike të fshatit”- Adelina Stublla – Drejtoreshë e Shëndetësisë.
Për opozitën në komunë, kjo mbetet një dëshmi tjetër se mandati i Vetëvendosjes në Podujevë kaloi me shpenzime, të menduara gabim.
”Komuna ka dhënë paratë për ndërtimin e QMF në Zakutë por kjo mbetet një tjetër skemë e mashtrimit, një tjetër formë e keqpërdorimit të parave tona, të qytetarëve të Podujevës. Gjoja arsyejet janë se s’ka resurse humane, por kjo nuk qëndron se stafi veçse ka qenë i zgjedhun. Me rëndësi, banorët e Zakutës kanë mbetë pa këtë shërbim”, ka thënë Valon Demolli – Asamblist i LDK-së në Podujevë.
Banorë që nuk deshën të deklarohen para kamerave kanë treguar se nevoja për funksionalizimin e saj mbetet evidente, që në rast nevoje, ndihma të merret aty ku e kanë më së afërti.
Në ndërkohë, ambulanca më e afërt mbetet me këtë të fshatit Zakutë mbetet ajo e fshatit Kërpimeh, afro 10 minuta larg saj.