“Derby d’Italia” mes Juventusit dhe Interit, i 253-ti në histori, është mbyllur 4-3 për bardhezinjtë, duke dhuruar emocione nga fillimi i ndeshjes e deri në sekondën e fundit.
Igor Tudor e nisi me këtë formacion titullar: Di Gregorio; Gatti, Bremer, Kelly; Kalulu, Locatelli, Thuram, McKennie; Koopmeiners, Yildiz; Vlahovic
Ndërsa Cristian Chivu e nisi me këtë formacion titullar: Sommer; Akanji, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Carlos Augusto; Lautaro, Thuram.
Sfida u zhbllokua në minutën e 13-të, ku Lloyd Kelly shënon golin e parë me fanellën e Juventusit dhe e bën pikërisht në derbi. Anglezi shënoi pas një aksioni të gjatë të bardhezinjve dhe asistit të Bremer.
Barazimi i zikaltërve do të vinte në minutën e 30-të me Hakan Çalhanoglu, i cili shënoi një supergol me një goditje fantastike nga kujfijtë e zonës së rreptësisë.
Në minutën e 38-të, shënon ylli tjetër turk, këtë herë për Juventusin, Kenan Yildiz, i cili po ashtu realizoi një gol spektakolar me një goditje fantastik nga distanca, e cila përfundoi në rrjetën e Sommer. Pjesa e parë u mbyll 2-1 për bardhezinjtë.
Goli i barazimit për zikaltrit erdhi në minutën e 64-të sërish nga Hakan Çalhanoglu, i cili ashtu si edhe në golin e parë, edhe këtë herë, shënoi një gol super të bukur, pas asistit të marrë nga Piotr Zielinski, i sapo futur në fushë.
Pas golit të barazimit, Tudor bëri tre zëvendësime direkt, ku u fut edhe Lois Openda, por zikaltrit ishin më të mirë në fushë, ndaj dhe gjetën dhe golin e tretë. Dimarco kroson nga goditja e këndit, Marcus Thuram shënon me kokë, duke kaluar zikaltrit për herë të parë në avantazh.
Bardhezinjtë nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat në minutën e 82-të me Khéphren Thuram. Francezi shënoi me kokë njësoj si vëllai i tij, pas krosimit perfekt të Kenan Yildiz nga goditja e dënimit.
Të zotët e shtëpisë nuk ishin dakord me barazimin dhe kërkuan golin e fitores, të cilin e gjetën në minutën e 92-të, ku Vasilije Adžić, i arhdur nga ekipi i të rinjve të Juventusit, shënoi golin e fitores së madhe me një super goditje nga distanca. Për zikaltrit nuk ka më kohë, derbi mbyllet 4-3 për bardhezinjtë.
The post Një “Derby d’Italia” totalisht i çmendur, Juventus fiton në frymën e fundit falë një 19-vjeçari (video) appeared first on Telesport.