Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, i ka dërguar një letër falënderimi Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas organizimit për herë të parë të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe Festivalit të Futbollit në Shkolla që u zhvilluan këtë javë në Tiranë.
Në letrën e tij, kreu i qeverisë së futbollit europian vlerëson mikpritjen dhe përkushtimin e FSHF-së në këtë organizim, duke e cilësuar një eksperiencë të paharrueshme për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe ambasadorët e UEFA-s.
“Më lejoni të shpreh falënderimet e mia të përzemërta për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin perfekt gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s dhe Festivalit të Futbollit në Shkolla këtë javë në Tiranë.
Ishte një kënaqësi e vërtetë për UEFA-n të bashkëpunonte me Federatën tuaj – jo vetëm për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta në zhvillimin e futbollit, por edhe për të përjetuar shpirtin e vërtetë të Tiranës”, – shkruan Presidenti Čeferin.
Ai thekson se energjia e kryeqytetit shqiptar, mikpritja dhe organizimi i detajuar lanë mbresa të mëdha tek të gjithë pjesëmarrësit:
“Energjia e gjallë e qytetit, historia e pasur dhe fryma mikpritëse lanë një përshtypje të pashlyeshme tek anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ambasadorët dhe drejtuesit e lartë. Përkushtimi juaj personal ishte i dukshëm në çdo detaj dhe dua t’ju falënderoj sinqerisht për angazhimin tuaj të palodhur”.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti i UEFA-s vlerëson edhe përfshirjen e fëmijëve dhe shkollave në Festivalin e Futbollit në Shkolla, duke e cilësuar atë si një moment unik dhe frymëzues:
“Përfshirja e shkollave lokale dhe stafit tuaj në festival ishte shembullore – plot gëzim, krenari dhe një dashuri të thellë për lojën. Ishte më shumë se një ngjarje; ishte një festë e komunitetit dhe e kulturës”.
Letra mbyllet me një falënderim të ngrohtë për Presidentin Duka dhe mikpritjen shqiptare:
“Faleminderit, Armand. Tirana na hapi zemrën dhe ne do ta mbajmë këtë ngrohtësi me vete”.
The post Ceferin: “Tirana na hapi zemrën dhe ne do ta mbajmë këtë ngrohtësi me vete”. appeared first on Telesport.