A po sfidon LVV-ja karakterin multietnik të Kosovës?

Deklarata e Albulena Haxhiut se Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik ka shkaktuar debat të gjerë politik, me analistë që ndajnë mendime të ndryshme mbi efektet e saj.

Deklaratat e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiut, se Kosova është shtet unitar, e jo shtet multietnik dhe se Pakoja e Ahtisarit ka dhënë vende të rezervuara komuniteteve joshumicë, e “jo të drejta të vetos për konstituimin e Kuvendit”, nga analistët politikë në vend po konsiderohet si një tentim për ta vënë në pikëpyetje karakterin multietnik të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje – partia e cila doli e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – me këto deklarata, sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, po i kontribuon me vetëdije të plotë opsionit të de-unitarizmit, apo edhe më keq, ndarjes së Kosovës.

“Kosova është shtet unik, pasi nuk është federatë dhe nuk posedon forma të autonomisë rajonale me kapacitet legjislativ. Kosova është edhe shtet multietnik, pasi ajo i garanton me kushtetutë dhe ligje të drejtat e komuniteteve jo shumicë, duke përfshirë këtu edhe të drejtat e avancuara të komunitetit serb në nivel lokal dhe nacional”, thotë Peci.

Në anën tjetër për analistin politik, Afrim Kasolli, Kosova është bërë “më shumë multietnike” me Albin Kurti në krye të shtetit, kjo për faktin se ky i fundit pranoi Marrëveshjen e Brukseli dhe Aneksin e Ohrit.

“Me marrëveshjen Bazë kompetencat ekzekutive të komuniteti serb nominalisht vetëm janë shtuar”, thotë ai për Albanian Post.

Në këtë kontekst ai e sheh edhe deklaratën e fundit të Haxhiut.

“Krejt kjo lojë e tanishme politike, më shumë se për ta zhbërë projektin multietnik të shtetit, është një përpjekje tinëzare për shfajësim, që kur të fillojë implementimi i “Ahtisarit plus”, i cili gjendet i brendashkruar në Aneksin e Ohrit, kjo parti të mund të shfajësohet se ishte opozita me Gjykatën Kushtetuese që e pengoi atë ta çlirojë Kosovën nga ndikimi i Listës Serbe dhe Beogradit”, shton ai.

Ndërkaq për Agon Maliqin, deklarata e Haxhiut është indikatore se LVV-ja po rikthehet në origjinë duke punuar për “Republikën e Tretë”.

“Në fakt po tregojnë se janë kundër modelit të sotshëm kushtetues dhe se po mundohen ta shembin këtë model të shtetit nga brenda. Ky është fundja qëndrim legjitim që e reflekton disponimin e një pjese të madhe të shoqërisë, e cila kurrë nuk u pajtua me kompromisin e vitit 2008”.

Megjithatë, në vlerësimin e Maliqit problemi të cilin kjo agjendë politike e shkakton për Kosovën është se, njësoj si në vitin 2008, nuk ofron rrugëdalje se si një gjë e tillë do të njihet ndërkombëtarisht.

“Realiteti është ai të cilin e kuptoi Thaçi, se alternativa e vetme ndaj modelit Ahtisaari është shteti etnik përmes korrigjimit të kufijve, opsion i cili u hodh poshtë”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, të mërkurën, potencoi se Kosova është shtet unitar, e jo shtet multietnik.

“Ky model është rregullatori i Republikës së Kosovës demokratike. Asnjë grup etnik, gjinor apo shoqëror nuk e ka të drejtën e vetos për mbi organet tona që konstituojnë Republikën”, tha ajo.

Pakoja e Ahtisarit, në vlerësimin e Haxhiut, ka dhënë vende të rezervuara komuniteteve joshumicë, e “jo të drejta të vetos për konstituimin e Kuvendit”.

Haxhiu ndërsa bëri të ditur se LVV-ja ka dërguar komentet e saja në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ankesën e Listës Serbe për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, njoftoi se kjo parti ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese ta shpallë si të papranueshme kërkesën e Listës Serbe.

Në anën tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

Osmani tha se i ka kërkuar Kushtetueses të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset e rëndësishme të vendit.

“Nuk është hera e parë që Lista Serbe është larguar nga institucionet, por kjo nuk e ka bllokuar shtetin, sepse shteti duhet të ecë përpara. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e kësaj Gjykate ta mbrojë shtetin”, ka thënë ajo.

Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë – që do të jetë në fuqi deri më 30 shtator – në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.

Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.